Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të mërkurën në takim deputetin e Bundestagut Gjerman, Peter Beyer.
Siç thuhet në njoftimin e Kuvendit, Konjufca e ka falënderuar deputetin gjerman për vizitën, duke sjellë në vëmendje rolin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Gjermanisë në drejtim të Kosovës.
Sipas njoftimit, përgjatë takimit u diskutua rreth çështjeve të ekonomisë, zhvillimit dhe sigurisë, ku kryetari Konjufca e njoftoi deputetin Beyerin me zhvillimet e aktualitetit, duke e cilësuar qasjen e Serbisë kërcënim për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal.
Mes tjerash, Konjufca ka ka theksuar se mbështetja e shtetit gjerman ndaj Kosovës vijon të ketë rëndësi thelbësore, si dhe ka theksuar nevojën që partneriteti i ngushtë midis dy vendeve të thellohet gjithnjë e më shumë, përmes bashkëpunimit dhe projekteve që kanë në bazë interestin dhe vlerat tona të përbashkëta.
Po ashtu, ata kanë diskutuar rreth rolit të diasporës së Kosovës në Gjermani si element shumë i rëndësishëm ndërlidhës dhe i forcimit të raporteve mes dy vendeve.
Deputeti gjerman, Beyer, e ka falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, duke u shprehur për nevojën e bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë mes vendeve tona, si dhe duke theksuar se Republika e Kosovës do të vazhdojë ta ketë në krah të saj mbështetjen gjermane, në rrugën e zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit.