Konjufca: Ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit prezantoi interesat e Serbisë e jo të Kosovës

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ka paraqitur interesat e Serbisë e jo të Kosovës

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca në konferencë për media

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, teksa e ka komentuar takimin e dy majit në Bruksel, në mes të kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se ishte e pritshme ajo që ndodhi në këtë takim.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca ka thënë se Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ka paraqitur interesat e Serbisë e jo të Kosovës.

“Sa i përket diskutimeve në Bruksel, gjithçka ishte e pritshme lidhur me atë që ndodhi. Pra, Ekipi Menaxhues, i cili ishte vendosur prej qeverive të mëparshme të Kosovës, pati një qëndrim vërtet tronditës për ne. Meqenëse atje i prezantoi interesat e Republikës së Serbisë, jo interesat e Republikës së Kosovës. Pra, po e shini edhe vetë se çfarë Ekipi Menaxhues, edhe çfarë institucione kanë vendosur qeveritë e mëparshme. Kanë vendosur zyrtarë, të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesat e Kosovës, bile njëra prej tyre, me sa dëgjova ishte pas bërë deputete në Parlament të Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandar Vuçiqit”.

Sipas Konjufcës, ky Ekip Menaxhues e prezantoi një draft-statut, i cili është një Republikë Serbe brenda Kosovës, gjë që siç thotë kryeparlamentari, kjo është e papranueshme për Qeverinë dhe për institucionet e vendit.

“Gjithçka do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, çdo zgjidhje që u jepet përtej kornizave të Kushtetutës, është e pavlefshme, dhe mua më pëlqeu shumë dhe jam para këtij akti të Qeverisë për ta shkarkuar Ekipin Menaxhues, sepse një grup, një ekip i cili përfaqëson interesat e Aleksandar Vuqiçit e jo interesat e popullit tonë, nuk ka çka të kërkojë në pozicione zyrtare edhe nuk ka se si të përfaqësojë popullin edhe qytetarët e Kosovës. Ata e përfaqësuan Serbinë ditën e djeshme, unë kam pas bërë thirrje para një jave që ky ekip të shkarkohet”, tha Konjufca.

Ndryshe, Elbert Krasniqi, ministri i Adminsitrimit të Pushtetetit Lokal në Kosovë, ka marrë vendim t’i lirojë nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues.

Lidhur me këtë, Konjufca ka thënë se nuk ishte befasuar që personat e emëruar nga “Vuçiqi e Rakiqi, krijuan një statut për ta shkatërruar Republikën e Kosovës dhe funksionin unitar të saj”.

“Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, me sa e pash e prezantoi një vizion për cilat janë ato vijat e kuqe, cili është horizonti i një Asociacioni të mundshëm në Kosovë, ai do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën tonë. Por, unë jam i bindur që në përputhje me Kushtetutën tonë, kjo nuk është diçka që është e pranueshëm për Serbinë, prandaj unë konsideroj që pozicionet janë shumë të largëta, pozicionet janë të papajtueshme mes palëve. Andaj, nuk pres fare që të ketë një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo nuk mund të ndodhë pikërisht për shkak të drejtimit politik që e ka Serbia sot”.

“Ajo është tërësisht brenda koordinatave politike të nacionalizmit fashist që e ka Serbia prej kohës së Millosheviqit prej viteve 90-ta. Nuk ka pendesë për krimet që ajo i ka kryer në Kosovë. Kështu që nuk pres kurrfarë afrimi të këtyre pozicioneve, ne do ta vazhdojmë këtë drejtim që t’i mbrojmë interesat e Kosovës. Pa ndryshuar Serbia, mua nuk më duket që mund të ketë një marrëveshje në një afat të shkurtër kohor”, tha Konjufca.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika