Konjufca në Ditën e Evropës: Kosova është shembull i shkëlqyer i demokracisë dhe i vlerave universale të BE-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova është sot një shembull i shkëlqyer i demokracisë dhe i vlerave universale të Bashkimit Evropian, me të cilat shteti ynë synon të jetë sa më i akorduar, përtej të cilave nuk mund të bëhet lëshim, sepse ekzistenca e tij është e lidhur thelbësisht me të qenit e tij demokraci dhe vend i këtyre vlerave universale

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në Ditën e Evropës, ka thënë se rruga e Kosovës është vetëm një, ajo e Evropës, e frymës dhe e parimeve të saj dhe çdo propozim tjetër është cenim i saj dhe i këtyre parimeve.

Me anë të një postimi në Facebook, Konjufca ka thënë se në Ditën e Evropës festohet për një Bashkim Evropian sa më të thellë, që nuk reduktohet në peshë teksa vijon procesin e zgjerimin.

“Dita e Evropës, sidomos në kohën kur po ndodh lufta në Ukrainë, thërret një Evropë që në bazë ka ekonominë, por të asaj natyre që i rri përshtat thellësisë politike dhe linjave të qarta gjeopolitike, pa flirtime me elemente autoritare, që do të rrezonte parimin e demokracisë. Kosova është sot një shembull i shkëlqyer i demokracisë dhe vlerave universale të Bashkimit Evropian, me të cilat shteti ynë synon të jetë sa më i akorduar, përtej të cilave nuk mund të bëhet lëshim, sepse ekzistenca e tij është e lidhur thelbësisht me të qenit e tij demokraci dhe vend i këtyre vlerave universale”, shkroi ai.

Sipas tij, rruga e vendeve joanëtare për në BE është njëkohësisht edhe rruga e BE-së drejt idesë së lartë të Evropës së Bashkuar, rruga ku ajo duhet të përmbushë vetveten duke takuar vlerat e saj.

Nëntë maji i vitit 1950 shënon Ditën e Evropës, datën kur ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi atë që u quajt “Deklarata Schuman”, ku ai propozonte një treg të përbashkët evropian të qymyrit dhe të çelikut, të cilin pas thuajse një viti do ta nënshkruanin Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Holanda dhe Gjermania Perëndimore.

“Robert Schuman deklaroi se qëllimi i tij ishte që lufta të bëhej, jo vetëm e pamendueshme nga pikëpamja morale dhe demokratike, por edhe materialisht e pamundur, nga pikëpamja racionale dhe ekonomike. Ai u shpreh, po ashtu, se aktorët kyçë të këtij propozimi për paqe ishin Franca dhe Gjermania Perëndimore, me dy popuj që kishin luftuar ndër shekuj”.

Kryeparlamentari Konjufca shtoi se paqja e drejtë dhe solide në mes të vendeve u pa si kushti që e bën të mundur nisjen e një procesi për një Evropë të Bashkuar.

“Që atëherë, vendet e Evropës nisën të bashkohen rreth atij që më vonë mori emrin Bashkimi Evropian dhe pas 7 fazave të zgjerimit deri më tani, ky proces vazhdon edhe sot”.

Që prej momentit të anëtarësimit, vendet e BE-së nuk kanë pasur ndonjë luftë dhe kjo për arsyen se në frymën e Unionit që buron prej “Deklaratës Schuman” zhvillohen, jo vetëm rregullat ekonomike të tregut, por edhe kushti i drejtë politik që garanton paqen, jo si parapërgatitje për luftë, por si terreni ku demokracia dhe vlerat universale janë boshti i gjykimit dhe veprimit.

“Me siguri mund të themi se nuk do të kishim Bashkim Evropian nëse pas nënshkrimit Gjermania Perëndimore do t’ia kishte me hile Francës apo e anasjellta. U deshën dy palë të barabarta në sinqeritet, me të njëjtin vizion dhe shpresë që të niste procesi, edhe sot në vijim e sipër, i Evropës së Bashkuar”.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika