Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kritikuar raportin e UNMIK-ut për Kosovën, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Konjufca e ka cilësuar raportin si selektiv, duke pretenduar se një pjesë e tij mbështetet në propagandën serbe dhe dezinformata, ndërsa nuk i pasqyron plotësisht përparimet e Kosovës në sundimin e ligjit, stabilitetin institucional dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Gjatë adresimit të tij para Këshillit të Sigurimit, ai ka kundërshtuar edhe mënyrën se si raporti i referohet sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, duke thënë se ai nuk duhet të cilësohet thjesht si një ngjarje e dhunshme.
“Është dëshpëruese që shumë këso rastesh të trajtuara në raportin e UNMIK-ut bazohen kryesisht te propaganda serbe, është fatkeqe që edhe sulmi paramilitar në Banjskë, i organizuar, orkestruar, mbështetur nga Beogradi zyrtar, përmes Radiçiqit, përmendet në këtë raport si një ngjarje e dhunshme në vend që të përmendet siç është, pra sulm terrorist. Nga 92 rastet e përmendura si propagandë politike nga zyra e ashtuquajtur për Kosovë, asnjëra nuk ka ndonjë prapavijë ose motiv etnik. Me keqpërdorimin e konotacioneve etnike dhe fabrikimeve të tilla, raporti përmban dezinformata dhe qëllimisht i keqinterpreton veprimet e zbatimit të ligjit apo cenimin e rendit publik, duke i përshkruar ato si të motivuara etnikisht apo shkelje të të drejtave”, u shpreh Konjufca.
Konjufca ka kundërshtuar gjithashtu, siç është shprehur, keqpërdorimin e konotacioneve etnike dhe keqinterpretimin e veprimeve të institucioneve të Kosovës në raportin e UNMIK-ut.
Duke folur për zhvillimet në vend, ai ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim në disa fusha dhe vazhdon të jetë, sipas tij, një nga demokracitë më stabile në Evropën Juglindore.
“Vlerësimet e pavarura tregojnë që kemi arritur sukses në luftën kundër korrupsionit, përforcim të sundimit të ligjit, si dhe institucione demokratike që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe avancojnë demokracinë”, ka deklaruar Konjufca.
Një pjesë të fjalimit ia ka kushtuar edhe situatës në veri të Kosovës, ku ka thënë se Qeveria po punon për garantimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve për prosperitet në të gjithë territorin e vendit, përfshirë zonat e banuara nga komunitetet joshumicë.
Konjufca ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë mbyllur strukturat që i cilësojnë ilegale dhe që, sipas tij, operojnë nga Serbia dhe pengojnë integrimin e komuniteteve.
“Kemi mbyllur strukturat ilegale që operojnë nga Serbia, të cilat pengojnë integrimin etnik dhe cenojnë institucionet tona demokratike”, ka thënë ai, duke shtuar se këto veprime synojnë të sigurojnë siguri juridike dhe trajtim të drejtë për qytetarët.
Ai ka përmendur gjithashtu bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me misionet ndërkombëtare KFOR dhe EULEX, si dhe ofrimin e shërbimeve publike në komunat veriore.
Sipas Konjufcës, këto shërbime përfshijnë kadastrin, regjistrimin e bizneseve, pensionet, zyrat e punësimit dhe administratën tatimore.