Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nëse do të ketë draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i njëjti do të propozohet nga Kosova.
Ai thekson se Asociacioni nuk është temë qendrore e negociatave me Serbinë.
“Për Asociacion nuk duhet negociohet, nuk është asociacioni temë qendrore e negociatave me Serbinë. Ai është si një marrëveshje e më hershme e vitit 2013. Pas shkarkimit të grupit i cili e ka pasur për qëllim për të propozuar një draft të asociacionit, e cila ka ndodhur, por ajo ishte një formë e kamufluar e Republikës Serbë, u refuzua nga Kosova dhe ky grup u shkarkua nga ana e qeverisë. I takon Kosovës, nëse mendon që mund të bëhet një asociacion në përputhje të plotë me Kushtetutën, pa kompetenca ekzekutive atëherë është përgjegjësi e Kosovës, jo e Serbisë”.
Sipas tij, një draft i mundshëm nuk do të ishte rezultat i negociatave me Serbinë.
“Në një shikim sipërfaqësor, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodhë ndonjë draft i Asociacionit ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse ndodhë, nëse jo nuk do të propozohet fare dhe nuk do të ishte rezultat i negociatave. Rezultat i negociatave është marrëveshja e Ohrit e cila është pranuar nga Republika e Kosovës, por jo edhe nga Serbia”, shkruan EO.
Konjufca ka thënë se nuk e di pse janë ftuar kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.
“Nuk e di edhe pse është thirr ky takim në Bruksel ne nuk kemi kohë t’i dëgjojmë premtimet e kota të Vuqiçit se është paqësor, ne jemi duke u përgatitë si Republikë dhe si Polici e Kosovës, për sulme të mundshme të ardhshme. Siç tha edhe Ministri i Brendshëm që grupe po ushtrojnë në Serbi”.