Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me sigurinë në Kosovë dhe pretendimet territoriale të Serbisë, gjatë një konference për medie pas takimit me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës.
“Një temë e pashmangshme në këto rrethana ishte edhe siguria në Kosovë dhe rreziqet që po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale që ka Serbia ndaj Kosovës. Ia shpreha shqetësimet po që se Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenar. Një nga shtet që nuk e ka sanksionuar Rusinë, por që vazhdon të ketë bashkëpunim me Rusinë”, ka thënë Konjufca, teksa ka falënderuar presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës për ndihmën ndër vite dhënë Kosovës.
“Serbia po shkel parimet e marrëveshjes Kosovë-Serbi”
Ai ka kritikuar Serbinë për mosrespektimin e parimeve të Marrëveshjes Bazë, duke theksuar se shteti serb po vazhdon të shkelë këto parime duke përdorur veprime agresive dhe duke mos pranuar Kosovën si një shtet sovran.
“Parimet janë themelet e marrëveshjet dhe në nenin e dytë të marrëveshjes e keni barazinë sovrane mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka afat ky parim, nuk mund të thotë Serbia, me Kosovën do të sillet agresore dhe me një moment të caktuar do të fillojë të bëhet fqinj i mirë. Fqinj i mirë Serbia ka zgjedhur që të jetë në letër në momentin kur e ka pranuar marrëveshjen”, ka deklaruar ai.
Konjufca gjithashtu ka thënë se është e rëndësishme që marrëveshja të zbatohet në përputhje me parimet themelore, jo vetëm me datat e caktuara.
“Ne e përjetuam Banjskën [sulmi terrorist serb] në shtator, pasi Serbia pranoi marrëveshjen. Dhe pastaj janë çështjet konkrete të cilat mund të kenë afate. Shembull kur do të hapet misioni diplomatik i Kosovës në Serbi dhe çështje të tjera. Problemi është se Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes, mund t’i përmendi dy këtu, atë barazinë sovrane mes shteteve duke mos e pranuar fare Kosovën si shtet as de-facto edhe e dyta atë principin e mospengimit të Kosovës mu anëtarësu në institucionet evropiane. Stano e adresoi qartë shkeljen e Serbisë, për këtë. Në këtë interpretim të marrëveshjes, Kosova ka të drejtë, s’mund të ketë barazi sovrane mes shteteve kur zonja Bërnabiq atje e dërgon si kryeministre e Serbisë letrën për me zhvlerësua marrëveshjen”, ka thënë Konjufca.
Po ashtu, kryeparlamentari ka thënë para gazetarëve se Beogradi s’mund të jetë fqinj i mirë kur ka sjellje agresore.
“Asociacioni është pika e shtatë e kësaj marrëveshje, dhe mund të ketë afat, por nuk është parim. Nëse ne sulmohemi nga Serbia, nëse ministri i Mbrojtjes së Serbisë thotë ushtria kur të kthehet në Kosovë, këtu janë shkelur parimet e marrëveshjes kjo është fryma e marrëveshjes, ne nuk kemi fqinjësi të mirë, ne kemi armiqësi, por jo për shkak tonë, por për shkak të Serbisë dhe pozicionimit të saj. Në të gjitha shkëmbimet e letrave që do të ketë Qeveria dhe të argumentimeve, kështu do të jetë korniza e shpjegimit të mënyrës si ne e kuptojmë marrëveshjen, edhe pse ne insistojmë që së pari të nënshkruhet nga Serbia dhe të fillohet të zbatohet. Por të fillohet me zbatim të parimeve, jo prej datave, parimet nuk kanë data. Kur ti e dhunon shtetin tjetër, ti e ke shkelë parimin e kartën e OKB-së”, ka deklaruar tutje Konjufca.
Nussbaumer-i i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për të parandaluar tensionet