Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova nuk ka kurrfarë obligimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa u arritur njohja de-facto nga Serbia.
Kështu ka deklaruar ai para fillimit të seancës së së enjtes në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku ka theksuar se Kosova nuk duhet të ndërmarrë asnjë hap pa njohjen e Serbisë.
“Kjo ka lidhje me këtë procesin negociator me të cilin Kosova tashmë është pjesë dhe krejt çka ka mbet është që pritet tash takimi i 2 majit që të sqarohet edhe kjo fazë në të cilën jemi. Unë mendoj që në dy binar është e ndërtuar marrëveshja, binari i parë është njohja de-facto nga ana e Serbisë, ndërsa binari i dytë është Asociacioni të cilin Kosova, qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme e në vitin 2013 e ka pranuar. Kosova duhet me tregu që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet bërë as një pa u realizuar binari i parë, që është njoha de-facto”, ka deklaruar ai.
Kryeparlamentari nuk ka përjashtuar mundësinë që më 2 maj të mos pranohet versioni i ri për Asociacionin, pasi që menaxhmenti përbëhet nga deputetë serbë, dhe kjo sipas tij është e papranueshme për Kosovën.
Po ashtu, ai ka thënë se nëse Ekipi Menaxhues dërgon një version që është në interes të Serbisë njësoj si ai i mëparshmi, atëherë sipas tij ky menaxhment duhet të shkarkohet.
“Aty qysh është e rregulluar kjo punë nga e kaluara është se ekziston një ekip i menaxhimit. I cili ka pasur obligim për të ofruar një version të Asociacionit, një tashmë e ka ofruar dhe ai nuk ka funksionuar dhe nuk është pranuar, tash do ta ofroj tjetrin. Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionoj duke parë përbërjen e këtij menaxhmenti, ku është i përbërë edhe nga deputetët e Serbisë, kjo është e papranueshme për Kosovën. Unë mendoj nëse ky menaxhment ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, mendoj që më e udhës për Kosovën është që të shkarkohet ky menaxhment”, është shprehur Konjufca, raporton RTV Dukagjini.
Deklaratat erdhën edhe si përgjigje ndaj të dërguarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se deri më 2 maj pret nga Qeveria e Kosovës që të ketë një propozim për Asociacionin.
“Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”, ka thënë Escobar në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.
Ndërsa, më 2 maj, është paraparë takimi i kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel.