Të hënën e 15 gushtit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim Presidentin e sapozgjedhur të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Kryeparlamentari Konjufca ka falënderuar presidentin Begaj që në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit ka zgjedhur Kosovën.
“Kosova dhe Shqipëria ndajnë organikisht dhe në mënyrë natyrale të njëjtat vlera. Prandaj është e domosdoshme të vazhdojmë t’i koordinojmë dhe bashkërendojmë sa më mirë hapat për të ecur përpara si një komb në rrugën e përparimit dhe zhvillimit të përbashkët”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Sipas tij, të dyja vendet me vendosmëri e kanë dëshmuar dhe po e dëshmojnë çdo ditë e më bindshëm veten në anën e mbarë të historisë, të së drejtës dhe demokracisë.
“Interes yni parësor, vullnet, vizion dhe orientim i qartë deri në pikëmbërritje mbetet integrimi euroatlantik dhe askush nuk mund t’i zhvendosë shqiptarët nga kjo rrugë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se vizita e presidentit Begaj në Kosovë është padyshim konfirmim i lidhjes së veçantë të të dyja vendeve dhe bashkëpunimit unik vëllazëror, mbështetur gjithnjë në parimin “një komb, një qëndrim”.
Ndryshe, të hënën, presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, është pritur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me ceremoni të lartë shtetërore, me të cilën është takuar dhe pastaj kanë mbajtur një konferencë për media.
Begaj në këtë konferencë ka folur për kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke thënë se “përbën një faqe të ndritur të historisë së përbashkët, që bën krenarë çdo shqiptarë”.
Po ashtu, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, presidenti i Shqipërisë do të bëjë homazhe te varrezat e familjes Jashari dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Ai, gjithashtu, do të bëjë nderime para Memorialit për Personat e Zhdukur.