Konjufca për gazin lotsjellës: Nuk kam përdorur asnjë armë dhe nuk i kam bërë dëm askujt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, para Gjykatës Themelore në Prishtinë për gazin lotsjellës për të cilin ishte akuzuar se e kishte hedhur në cilësinë e deputetit në Kuvend në vitin 2016, ka thënë se ishte veprim i natyrës politike dhe se nuk ka dëmtuar askënd, pasi nuk ka përdorur ndonjë lloj arme

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili po akuzohet se në gusht të 2016-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, ka thënë se veprimi ka qenë politik dhe se pretendon që nuk ka përdorur kurrfarë arme dhe nuk i ka bërë dëm askujt.

“Mbetem pranë asaj që kam thënë në shqyrtim fillestar, unë jam i pafajshëm, ky veprim ka qenë i natyrës politike. Pretendoj që nuk kam përdorur kurrfarë arme, deklaroj që jo vetëm nuk i kam bërë dëm askujt, po as s’kam pas qëllim të tillë”, ka thënë Konjufca gjatë fjalës hyrëse.

Ai ka shtuar se lidhur me veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, nuk ka qenë pengesë serioze, ngase mbledhja u mbajt 30 minuta pasi e kishte bërë atë veprim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ajo që më mveshet për pengim të personit, nuk ka qenë ndonjë pengesë fort serioze, meqenëse ajo mbledhje u mbajt 30 minuta pasi që e kam bërë atë veprim, kështu që ka qenë një shtyrje veç 30 minuta e mbledhjes se kryesisë së Kuvendit, prandaj nga gjithë këto që i thashë nuk më duket se është vepër penale serioze”, deklaroi Konjufca.

Në këtë seancë mungoi Adem Grabovci dhe Ismet Beqiri.

Ndërsa, gjykatësja e rastit, Edita Çanta, konstatoi se për dëshmitarin Grabovci gjykata nuk ka prova nëse ai e ka pranuar ftesën.

Ndërkaq, sa i përket dëshmitarit Beqiri, gjykatësja konstatoi se nga fletëkthesa e kthyer ka rezultuar se adresa nuk është e saktë, pasi që i njëjti ka ndërruar vendbanim.

Ndaj tij, gjykata do të lëshojë urdhëresë për verifikim adrese për seancën e radhës.

Pasi që i akuzuari Konjufca nuk ka parashtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës, gjykatësja Çanta kërkoi të vazhdohet me fjalët hyrëse të palëve.

Prokurorja Rukije Shashivari, në fjalën hyrëse deklaroi se i pandehuri Konjufca ka kryer veprat penale, të cilat i vihen në barrë sipas aktakuzës.

“Gjatë këtij shqyrtimi  gjyqësor do të vërtetohet kjo në bazë të dëgjimit të dëshmitarëve Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Slobodan Petroviq”, tha prokurorja.

Meqenëse nuk ishin prezent dëshmitarët, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës u caktua më 22 korrik 2022.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika