Arsyeja kryesore pse kryeministri i Kosovës e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit, është për shkak të nenit dy.
Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se po të mos hynte në fuqi menjëherë ky nen, Kurti nuk do ta pranonte.
Ai e akuzoi Serbinë se po e injoron tërësisht këtë nen, i cili, sipas tij, thotë se dy shtetet duhet ta respektojnë sovranitetin e njëra – tjetrës.
“Marrëveshja, sekuencimi i marrëveshjes, hapat sipas kohës, janë vetëm ata që fillojnë pas nenit të dytë. Neni i dytë hyn në fuqi në momentin kur pajtohen palët për marrëveshje. Shtetet funksionojnë si shtete sovrane me të drejta reciproke, Serbia është duke e sfidu, po i mbyll sytë dhe po bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë me këtë marrëveshje”, ka thënë ai.
“Po të mos ishte neni 2, që do të hynte në fuqi menjëherë, Kurti nuk do ta nënshkruante, sepse ajo marrëveshje do të fillonte me Asociacionin, Qeveria nuk do të kishte interes ta nënshkruante atë marrëveshje”, ka vijuar ai.
Neni 2 i marrëveshjes së Brukselit thotë se “Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.
Konjufca, po ashtu, e ka akuzuar Serbinë se ka dërguar shkresa te disa shtete, kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.
Tutje, ai ka thënë se shtetet e QUINT-it kanë deklaruar në të kaluarën se Asociacioni nuk duhet të formohet pa u kthyer serbët në institucione të Kosovës.
Ai ka shtruar pyetje në drejtim të atyre shteteve, duke thënë se a i kanë ndryshuar këto qëndrime apo ende i mbajnë.