Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim bashkatdhetarët në Parlamentin e Kosovës.
Ai ka thënë se veprimtaria e mërgatës ka qenë vazhdimisht vendimtare sa i takon çlirimit të Kosovës dhe shtetimit të saj, e deri te kontributi në ekonominë e vendit dhe procesit të demokratizimit të sferës publike dhe institucioneve.
“Funksioni i saj nuk ka mbaruar dhe as do të përfundojë ndonjëherë, duke qenë element kyç i pandashëm i kombit tonë. Duke qenë e tillë, ne jemi të angazhuar që mërgatës tonë t’ia ofrojmë të gjithë infrastrukturën e nevojshme ligjore që ajo të vijë sa më pranë nesh në mënyrë sa më të lehtë, e nga ana tjetër, institucionet dhe mekanizmat tona të mund të asistojnë sa më shumë mërgatën nëpër vendet përkatëse në Evropë dhe më gjerë”, shkroi ai në Facebook.
Kryeparlamentari Konjufca ka potencuar se bashkatdhetarët kanë dhënë gjithnjë e gjithçka kanë mundur për Kosovën.
“Pavarësisht kësaj gatishmërie të natyrshme, institucionet e vendit e kanë në vëmendje prioritare gjithçka që çliron potencialin kontribuues të mërgatës duke e kanalizuar në infrastrukturë stabile institucionale”.
Gjatë këtij takimi, ata kanë folur për të arriturat e deritanishme.
Në takimin me bashkatdhetarët diskutuam pikërisht për këto çështje dhe për nevojën që shteti ynë të organizojë në mënyrë sa më të mirë dëshirën për kontribut ndaj vendit, që buron nga dashuria për të dhe zelli i madh për ta parë sa më të zhvilluar”.