Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në lidhje me propozimin e PDK-së për zgjedhje të parakohshme në datën 9 qershor, ka thënë se deri në atë moment nuk ka pasur ndonjë takim për të diskutuar këtë çështje.
“Me sa kam njohuri unë deri tash nuk ka ndodhur asnjë takim i rëndësishëm i këtij niveli që të diskutohet se kur do të ishte koha më e përshtatshme që vendi të shkojë në zgjedhje. Kjo është një rast i rrallë që të gjitha partitë pajtohen të shkojnë në zgjedhje, por nuk po arrin që kjo punë të bëhet”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se se shumicës parlamentare i mungon vullneti që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë.
“Nuk po duket që është punë e frikës, por mungon vullneti i mazhorancës që kjo të ndodhë përmes një dorëheqje të Qeverisë, sepse nuk ka një arsye që të japë dorëheqje Qeveria. Qeveritë japin dorëheqje vetëm kur diçka nuk është duke funksionuar”, ka thënë ai.
“Pro themelimit të çdo Komisioni Hetimor”
Konjufca, ka thënë se është pro themelimit të çdo Komisioni Hetimor parlamentar dhe se për këtë, sipas tij, nuk duhet të ketë asnjë pengesë.
Pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë, Konjufca ka thënë se debati për çështje të tilla duhet të bëhen në komisione.
“Unë jam që të mos bëhet asnjë pengesë në themelimin e komisioneve hetimore, cilado qofshin ato. Ky është instrumenti i vetëm që ka opozita në dorë sa i përket Kuvendit. Betejat gjithmonë duhet të bëhen brenda komisioneve pasi të themelohen ato dhe të mos vendosen kështu kushtëzime, pa mundësim teknik i themelimit të Komisioneve Hetimore parlamentare. Unë si kryetar i shpreh konceptin tim se Komisionet Hetimore parlamentare nuk do të pengohen në Kuvendin e Kosovës, sepse nëse kjo bëhet precedent, atëherë mendoj që në mënyrë afatgjate dëmtohet Kuvendi i Kosovës dhe parlamentarizmi në shtetin tonë”, ka deklaruar ai.
“Moszgjatja e mandatit të Komisionit Hetimor s’është problem, përgjegjësia i takon Grupit Parlamentar të VV-së”
Konjufca ka shprehur qëndrimin e tij të hapur për zgjatjen e mandatit të Komisionit Hetimor, duke e vlerësuar si një çështje që mund të zgjidhet me vullnet politik.
Ai ka shtuar se interpretimi i ligjit nga ana e zyrës ligjore të Kuvendit është një çështje e diskutueshme dhe nuk duhet të jetë pengesë për zgjatjen e mandatit.
“Sa i përket moszgjatjes së mandatit, kjo ishte interpretim i zyrës ligjore që e kemi kuvend këtu brenda, ata në atë mënyrë po e interpretojnë ligjin sepse po thonë se Komisioni Hetimor parlamentar vetëm gjashtë muaj ka mandat, mirëpo nëse do të kishte vullnet edhe marrëveshje politike, kjo nuk do të ishte kurrfarë problemi, mund t’i shtosh edhe tre muaj Komisionit Hetimor parlamentar. Unë po flas për veten si kryetar i Kuvendit, nuk e kam problem këtë, pse këtë e pengon Grupi parlamentar i VV-së mendoj që duhet t’i pyesni ata”, ka deklaruar Konjufca.
Mes tjerash, ai para mediave ka shprehur shqetësimin për mungesën e vullnetit politik për të gjetur një zgjidhje për “dëmin që po i shkakton kuvendit humbja e kapacitetit për të ratifikuar marrëveshje ndërkombëtare”.