Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një qorrsokak, dhe se ky proces – në formatin që ka filluar në vitin 2011- ka marrë fund pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Sipas tij, Serbia ka qenë faktori kryesor që ka kontribuuar në këtë situatë përmes veprimeve të saj të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.
“Unë konsideroj që sa i përket perspektivës së dialogut, dialogu, ndodhet në një qorrsokak, prej të cilit nuk po shoh shumë rrugëdalje. Këtij qorrsokaku, para se të gjithash, i ka kontribuuar Serbia, me veprimet e veta. Unë mendoj që dialogut në formatin qysh ka qenë prej 2011 e ka pasur arkivolin më 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Banjskë.
Sepse me informatat që i posedon edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe institucionet tona të sigurisë, tregojnë qartë që ky grup kriminal prej qindra personash e ka pasur mbështetjen drejtpërdrejt prej shtetit serb. Atyre iu është ofruar logjistika dhe krejt poligonet ushtarake, duke i përfshirë, për të ushtruar ata, për m’i marrë armët. Madje kemi fakte që pasur shkëmbim të armëve mes ushtrisë dhe këtij grupi terrorist…”, ka thënë Konjufca.
Konjufca deklaroi se sulmi në Banjskë ishte ngjarja që i dha fund dialogut të Brukselit, dhe ai theksoi se tani i takon bashkësisë ndërkombëtare të vendosë qartë se çfarë synon nga ky proces.
Kryekuvendari gjithashtu përmendi se faktet e hetimeve lidhur me sulmin janë të njohura nga faktorët ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe NATO-n, dhe që mbështetja e Serbisë për grupin që kreu sulmin është e padyshimtë
“Ajo që ndodhi në Banjskë ishte gozhda e fundit në dialogun e Brukselit… i takon bashkësisë ndërkombëtare të jetë më e përcaktuar se çka po dëshiron. Nëse dëshiron palë të barabarta në dialog si dy shtete, nëse dëshiron dhe edhe mendon që principi i marrëveshjes së Ohrit me funksionu palët si shtete sovrane, ashtu siç shkruan në marrëveshje. Nëse bashkësia ndërkombëtare e ndan mendjen me ecë në këtë rrugë, Kosova është e gatshme. A nëse dëshiron me i mbyllë sytë, mos me reaguar as kur Serbia i mbyll kufijtë me Kosovën, bllokimi i fundit ndodhi prej shtetit serb. Asnjë reagim nuk e pashë nga ana e Brukselit, as nga bashkësia ndërkombëtare. Pra, ne jemi të vetëdijshme dhe kjo është e qartë që bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në relacionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Faktorët ndërkombëtarë kanë qenë ndarje dhe shpalljes së rezultatit të hetimeve sa i përket sulmit. Kjo nuk do të thotë se hetimet dhe raportet nuk ekzistojnë. Rezultat janë kryer. Dhe shtetet nacionale hetimet i kanë kryer duke përfshirë edhe NATO-n. Këto janë informata të ndjeshme të ndahen me opinion publik. Në kuptim gjeneral të këtyre informatave, që faktorët ndërkombëtarët e dinë që mbështetja e shtetit serb prapa grupit është pa kurrfarë dileme”, ka shtuar Konjufca.