Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë, Georg Schnetzer, me të cilin u dakorduan për thellim të bashkëpunimit.
Sipas njoftimit të Kuvendit, kreu i këtij institucioni vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe. Ai e falënderoi ambasadorin Schnetzer për mbështetjen e palëkundur të Austrisë ndaj Kosovës.
“Kryetari i Kuvendit theksoi se Austria nuk është vetëm një shtet mik i dëshmuar historikisht, por edhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës në të gjitha sfidat dhe rrugëtimet shtetndërtuese, duke nënvizuar njëherësh rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së mëtejme ndaj shtetit tonë në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Në takim, thuhet se u bisedua me theks të veçantë për bashkëpunimin në kuadër të programit për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin austriak, ku nëpunës të administratës së Kuvendit të Kosovës do të kenë mundësinë të marrin njohuri dhe të njihen me praktikat e Parlamentit të Austrisë.
“Kryetari Konjufca dhe ambasadori Schnetzer po ashtu shprehën gatishmëri për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha e sektorë të tjerë me interes të përbashkët ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Austrisë”, vijon njoftimi.