Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim të enjten e 19 janarit, ish-shefin e misionit të OSBE-së, ambasadorin amerikan, William Walker.
Konjufca e vlerësoi lart angazhimin e Walker për Kosovën, duke e quajtur atë “miku më i madh i Kosovës”.
“Është një kënaqësi e madhe për mua sa herë që takohem me ish-shefin e misionit të OSBE-së në vendin tonë, mikun e madh të Kosovës, ambasadorin amerikan, William Walker”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Ndërsa, ka theksuar se Walker i ka treguar botës e Millosheviçit të vërtetë në sy, gjë të cilën e bëri kur Kosova po digjej flakë.
“Z. Walker, pa iu trembur syri i pati thënë Millosheviçit të vërtetën në sy dhe i transmetoi botës atë që pa e përjetoi, të vërtetën që ajo duhet ta dinte, në kohën kur Kosova po digjej flakë, e populli i pafajshëm vritej e masakrohej brutalisht ditë e natë. Historia e udhëtimit të tij, veçanërisht dëshmia për Masakrën e Raçakut ishte kyç në shtyrjen e NATO-s për të nisur fushatën e saj të bombardimeve kundër Jugosllavisë”, ka vijuar Konjufca.
Ndër të tjera, në takim është diskutuar edhe për të arriturat në vend dhe zhvillimet aktuale.
“Sot e kujtuam një pjesë të së kaluarës, diskutuam edhe për të arriturat në vend dhe zhvillimet aktuale në vend, rajon e botë. Mirënjohës gjithmonë për z. Walker. Faleminderit”, ka përfunduar Konjufca.