Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim lamtumirës ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny.
Konjufca gjatë këtij takimi ka shprehur mirënjohje të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë përmes projekteve gjithëpërfshirëse për fuqizimin demokracisë, sundimin e ligjit.
Ai e falënderoi ambasadoren Hernmarck për bashkëpunimin e frytshëm dhe për punën e saj të deritanishme.
“Duke nënvizuar faktin se Suedia është ndër katër donatorët më të mëdhenj në Kosovë, Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë përmes projekteve gjithëpërfshirëse për fuqizimin demokracisë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, çështjet ambientale dhe fusha të tjera zhvillimore, si dhe për përkrahjen e synimeve të shtetit të Kosovës për integrim euroatlantik dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu, kryeparlamentari i ka uruar suksese në angazhimin e mëtejmë Hernmarck.
Ndërsa, ambasadorja suedeze vlerësoi progresin e arritur dhe ritheksoi mbështetjen e Suedisë për Republikën e Kosovës.
Ndryshe, më 25 korrik, edhe Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka zhvilluar një takim lamtumirës me ambasadoren Hernmarck.
Ai ka potencuar nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Bislimi e ka falënderuar ambasadoren Hernmarck për bashkëpunimin, mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për Kosovën, veçanërisht për rolin e saj aktiv në mbrojtje të mjedisit dhe politikave të gjelbra.
Bislimi takon ambasadoren suedeze, flasin për nevojën e liberalizimit të vizave