Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadorin jorezident për Kosovën të Republikës Islamike të Pakistanit, Yousaf Junaid.
Siç ka njoftuar Kuvendi i Kosovës nëpërmjet një komunikate për media, në takimin mes tyre është diskutuar për marrëdhëniet miqësore dhe për zhvillimet politike aktuale.
Po ashtu, sipas njoftimit, mes tyre janë shkëmbyer pikëpamje në lidhje me mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha dhe sektorë të ndryshëm me interes të ndërsjellë.
Konjufca gjatë takimit i ka vlerësuar të mira marrëdhëniet dypalëshe dhe ka theksuar se Republika e Kosovës është e vendosur për forcimin e lidhjeve miqësore dhe avancimin e bashkëpunimit me Pakistanin, përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave parlamentare.
“Duke u shprehur mirënjohës ndaj shtetit pakistanez, kryetari i Kuvendit po ashtu kërkoi vazhdimin e përkrahjes për anëtarësimin e shtetit tonë në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, ambasadori Junaid, i cili shërben si ambasador rezident në Turqi, pasi e ka falënderuar kryeparlamentarin Konjufca për pritjen, ka konfirmuar mbështetjen e mëtutjeshme të shtetit të Pakistanit për Republikën e Kosovës dhe ka shprehur përkushtimin për fuqizimin e raporteve mes të dyja shteteve.