Në Talin, në ambientet e qeverisë estoneze, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është pritur nga kryeministrja Kaja Kallas.
Kallas, në takim garantoi për vendosmërinë e thellimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjithë sektorët.
“Nga ana ime, shpreha falënderimin për mbështetjen e popullit dhe shtetit estonez ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha proceset e saj. Nga përpjekjet e shtetndërtimit, zhvillimit shtetëror, e deri te proceset integruese, është një gamë e gjerë e forcimit të marrëdhënieve tona.Estonia dhe gjithë Evropa kanë sot një rrezik të përbashkët, rrezikun e ndërhyrjeve ruse me mjete dhe mënyra të ndryshme. E në këtë kuptim, znj. Kallas i solla në vëmendje se Serbia mbetet ndër të vetmet vende në Evropë që refuzon të bëhet pjesë e sanksioneve antiruse”, shkroi Konjufca.
Ai e ka ftuar kryeministren estoneze të ofrojnë asistimin e tyre në fushën e reformave ligjore dhe infrastrukturës zbatuese, me theks të veçantë në arsim dhe teknologji të lartë.