Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim përfaqësues të Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore dhe Qendrës për Sundimin e Ligjit të Finlandës, të kryesuar nga drejtoresha Tuija Brax.
Bëhet e ditur se gjatë takimit u bisedua lidhur me rolin e demokracisë në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të drejtave të njeriut, përderisa fokusi i veçantë thuhet se u vendos mbi bashkëpunimin në projekte konkrete dhe përkrahjen për zbatimin e reformave që kanë për qëllim të forcojnë funksionimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit.
Kryetari Konjufca theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për ndërtimin dhe mbështetjen e institucioneve demokratike, si dhe mirëpret ekspertizën dhe asistencën për këtë qëllim të organizatave finlandeze si International IDEA dhe Qendrës për Sundimin e Ligjit të Finlandës.
Në njoftim thuhet se në takim u ritheksua “gatishmëria për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me qëllim të shkëmbimit të ideve produktive, përvojave dhe planeve të mundshme për avancimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit”.