Nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se partia e tij synon të formojë qeverinë me mbështetjen e përfaqësuesve të pakicave joserbe.
“Siç e keni parë, qeveria ‘Kurti 2’ është formuar në bashkëpunim me pakicat joserbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka ndikuar pozitivisht në Kosovë, duke mos lejuar që Lista Serbe, e cila vepron nën ndikimin e Beogradit, të ketë pushtet vendimtar si në qeveritë e kaluara”, ka deklaruar Konjufca për për institutin dhe median online me seli në Itali, Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa.
Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), partia e parë është Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar 396,022 vota (42,27%). Pas LVV-së renditen Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.96% dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 18.28%, ndërsa koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismës Socialdemokrate dhe disa partive më të vogla ka marrë 7.07% të votave.
Megjithëse LVV ka dalë partia e parë, ajo nuk ka arritur shumicën absolute, duke e bërë të nevojshme gjetjen e partnerëve për krijimin e qeverisë së re.
LVV ka 48 ulëse, ndërsa për të siguruar shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, i duhen edhe të paktën 13 vota shtesë.
Në Kuvend, pakicat joserbe kanë 10 vende të rezervuara dhe me mbështetjen e tyre LVV mund të arrijë në 58 ulëse. Një mbështetje tjetër mund të vijë nga Nenad Rashiq, i cili shërbeu si ministër në Qeverinë Kurti II, i cili ka fituar një vend në parlament pasi Lista Serbe nuk arriti të siguronte të gjitha 10 vendet e saj.
Megjithatë, edhe me këtë mbështetje, LVV-së i duhen edhe të paktën dy deputetë të tjerë për të siguruar shumicën e thjeshtë parlamentare.
Konjufca ka hedhur dyshime mbi gatishmërinë e partive opozitare për të bashkëpunuar në formimin e qeverisë.
Ai ka theksuar se opozita ka ndjekur një qasje penguese dhe një diskurs të ashpër ndaj LVV-së.
“Nëse është e nevojshme, ne do të takohemi si liderë dhe do të vendosim për hapat e ardhshëm, por deri më tani partitë opozitare kanë marrë qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë shumë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft të padrejta, me shumë akuza të pabazuara dhe goditje të ulëta. Kjo ka lënë gjurmë”, ka deklaruar ai.