Figura e Adem Jasharit është e vendosur në një letër pranë objektit të Qeverisë së Kosovës.
Por, një shtatore e tij sikurse janë 4 të tjera të vendosura në sheshe të kryeqytetit nuk ekziston.
Iniciativa e përfolur ndër vite duket se është duke shkuar drejt finalizimit.
Komuna e Prishtinës, ka vendosur që brenda kësaj jave të hapë konkurs ndërkombëtar për realizimin e monumentit të komandantit Adem Jasharit.
“Shumë shpejte pritet pra është çështje ditësh pra publikimi i shpalljes së konkursit ndërkombëtar për punimin apo ndërtimin e shtatores së Adem Jasharit…Parashihet të bëhet në një hapësirë një mijë deri në 2 mijë metra katrore, që të mos jetë shtatore në mënyrë klasike por të përfshihet i gjithë koncepti i kontributit dhe sakrificës së familjes Jashari, pa u kufizuar vetëm tek figura e komandantit legjendar Adem Jashari”, ka deklaruar Donat Lushaku – Zëdhënës i Komunës së Prishtinës.
Lushaku thotë se përfundimi i projektit mendohet të jetë në një datë historike e të rëndësishme për shqiptarët dhe Adem Jasharin.
“Do të tentohet maksimalisht që ajo të përfundohet me 28 nëntor të këtij viti kur është edhe ditëlindja e komandatit Adem Jashari, do të jetë një datë tentative derisa në rastin më të vonshëm do jetë 5, 6 dhe 7 mars”, ka thënë ai.
Një veprim të tillë e kanë mirëpritur edhe organizatat e dala nga lufta.
“Çdo iniciativë që merret për komandantin Adem Jashari është e mirëpritur, mirëpo të kalojnë 26 vite, e deri më tash të pritet ne nuk e dimë, duke e ditur se komandati legjendar e ka merituar prej momentit që ka rënë, e dimë kontributin e tij edhe luftës, e tij nuk e dimë pse është vonuar kjo”, ka thënë Gani Ibishi – Qytetarë.
Se kjo iniciativë është e vonuar, e thonë edhe qytetarët.
“Është dashur të ndërtohet atë vit që ka përfunduar lufta, jo tash pas 26 vitesh, është pak vonë por prapë më mirë pak vonë se hiq”, ka thënë Gani Ibishi – Qytetarë.
“Duhet me pas edhe ai njëjtë si ai si Rugova, si të gjithë ne kejt vllazni jemi..Ish dashur edhe ajo sikur është vendos figura e tij sikurse e Rugoves e Zahirit”, ka thënë Islam Fetahu – Qytetar.
Buxheti për këtë projekt parashihet të jetë rreth 200 mijë euro, derisa lokacioni ende nuk dihet. Aktualisht sheshi që është afër objektit të komunës së Prishtinës, e mban emrin e komandantit Adem Jashari.