Edhe pse nuk ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e propozuar nga grupet parlamentare, sot u konstituua Komisioni hetimor lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës së anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, në cilësinë e kryetares së Komisionit, shpjegoi se mungesa e pesë anëtarëve në mbledhje është si rezultat i takimeve dhe i vizitave të tyre jashtë vendit.
Megjithatë, në mbledhje morën pjesë gjashtë deputetë: Time Kadrijaj (AAK), Fitore Pacolli (LVV), Haxhi Avdyli (Lista Guxo-LVV), Arbëresha Kryeziu (LVV) Gazmend Gjyshinca (LVV) dhe Vlora Dumoshi (LDK).
Kaq kanë mjaftuar që komisioni hetimor të konsiderohet i konstituuar.
Deputetët që munguan janë: Ariana Musliu-Shoshi (PDK), Hisen Berisha (PDK), Jeta Statovci (Lista Guxo-LVV), Rrezarta Krasniqi (LDK) dhe Erxhan Galushi (Grupi multietnik).
Deputeti Haxhi Avdyli tha se është joserioze mungesa e iniciuesve të themelimit të Komisionit, duke aluduar në deputetët e PDK-së.
Ai akuzoi opozitën që po organizon mbledhje të tilla në ditë të rëndësishme për Kosovën.
Sipas tij, kjo është një pjesë e fushatës kundër ministres së Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz.
“Është një koincidencë që ditën e themelimit të këtij komisioni është mbajtur debati në Kuvend, ndërsa kryeministri dhe zëvendëskryeministrja kanë qenë në Këshillin e Sigurimit në OKB. E tash, ky komision po miratohet në fazën e suksesshme të Kosovës që ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës”- tha Avdyli.
Kadrijaj iu kundërpërgjigj duke i thënë se nuk dëshiron të bëjë debat politik, megjithatë theksoi se opozita gjithmonë ka lobuar për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
“Nuk kam dashtë të bëj debat politik. Kam votuar në Kuvend. E ka aprovuar Kryesia në bazë të atij vendimi. Ajo që ka qenë iniciuese [Ariana Musliu- Shoshi] është në Evropë dhe po lobon shumë për anëtarësim të Kosovës në KiE”- tha Kadrijaj.
Në Këshillin e Evropës sot do të mbahet një mbledhje e Komisionit për Çështje Politike të Asamblesë në Paris, në të cilën raportuesja për Kosovë, Dora Bakojanis, do të paraqesë raportin e saj që përmban një draft opinion për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.