Sot në orën 20:00 në mbrëmje, në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të mbahet shfaqja “Kopshti i Hijeve”, shfaqje kjo e cila tregon historinë e familjes Bogujevci, me regji të Nastazja Domaradzka.
“Ne besojmë fuqishëm se përgjigja më e fuqishme ndaj së keqas dhe padrejtësisë është të ndajmë historinë tonë. Nëpërmjet tij, ne synojmë të ruajmë historinë tonë, të edukojmë, të frymëzojmë, të fuqizojmë dhe të kontribuojmë në ndjekjen tonë të drejtësisë. Ky interpretim teatror është veçanërisht domethënës, duke hedhur dritë mbi jetën tonë para dhe pas masakrës tragjike, jo vetëm mbi ngjarjet”, ka thënë Fatos Bogujevci prej familjes Bogujevci.
“Shfaqja tregon historinë e familjes Bogujevci: fëmijët e parë që dëshmuan në një gjykatë për krimet e luftës. Kjo gjykatë i jep formë narrativës në ndryshim, duke rrëshqitur mes kohës, vendit, realitetit dhe imagjinatës. Kopshti i hijeve ekziston në skenë si një botë paralele e kujtesës dhe së ardhmes alternative”, thuhet në njoftimin nga Teatri Kombëtar i Kosovës.
Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë: Aurita Agushi, Blend Arifi, Emine Toska, Fitore Jashari, Gani Rrahmani, Kushtrim Qerimi, Qëndrim Kqiku, Safete Mustafa Baftiu.