Ushtria e Koresë së Jugut ka thënë se Koreja e Veriut ka lëshuar tri raketa balistike me rreze të shkurtra drejt detit në lindje të gadishullit Korean. Kjo breshëri e fundit vjen pesë ditë pasi Koreja e Veriut ka fluturuar dronët në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut për herë të parë që nga viti 2017. Nga ushtria e Koresë së Jugut kanë shtuar se raketat kanë fluturuar rreth 350 km.
Uashingtoni tha se lëshimet e fundit të raketave nuk përbëjnë një kërcënim të menjëhershëm për SHBA-në ose aleatët e saj.
Shefi i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut ka thënë se tri raketat balistike me rreze të shkurtra janë lëshuar rreth orës 08:00 me orën lokale (23:00 GMT) nga provinca e Veriut Hwanghae, në jug të kryeqytetit Phenian.
“Lansimi i raketave balistike nga Koreja e Veriut është një provokim i rëndë që minon paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean si dhe komunitetin ndërkombëtar”, shtuan ata.
Roja bregdetare e Japonisë ka thënë se një raketë kishte rënë në det. Këtë javë, Ushtria e Koresë së Jugut ka kërkuar falje për dështimin për të rrëzuar pesë dronë që Koreja e Veriut fluturoi përtej kufirit të tyre të ndërsjellë.
Seuli gjuajti të shtëna paralajmëruese dhe dërgoi avionë dhe helikopterë sulmues për ta rrëzuar avionin, njëri prej të cilëve, fluturoi afër kryeqytetit. Në fillim të këtij muaji, ShBA dhe aleatët e saj aziatikë kanë vendosur sanksione ndaj tre zyrtarëve të lartë të Koresë së Veriut, të lidhur me testet e fundit të raketave të vendit.
Marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut janë përkeqësuar qëkur qeveria konservatore e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, mori detyrën në maj, duke premtuar një qëndrim më të ashpër ndaj Phenianit.
Koreja e Veriut është bërë më e sigurt nën Kim Jong-un, i cili ka mbikëqyrur pjesën më të madhe të zhvillimit të fundit të programit të saj të armëve. Gjatë kohëve të fundit, ai ka thënë se donte që vendi i tij të kishte forcën bërthamore më të fuqishme në botë dhe e shpalli atë një shtet bërthamor “të pakthyeshëm”, raporton BBC.