Koreja e Veriut, të dielën lëshoi një raketë balistike me rreze të shkurtra veprimi drejt deteve të saj lindore, duke zgjatur një brez provokues në testimin e armëve, ndërsa një aeroplanmbajtëse amerikane viziton Korenë e Jugut për stërvitje të përbashkëta ushtarake në përgjigje ndaj kërcënimit bërthamor nga Veriu.
Shefat e përbashkët të shtabit të Koresë së Jugut thanë se raketa e lëshuar nga qyteti perëndimor i brendshëm i Taechon, fluturoi 600 km në një lartësi maksimale prej 60 km përpara se të ulej në ujërat në brigjet lindore të Koresë së Veriut, shkruan The Guardian.
Ushtria e Koresë së Jugut i dënon këto lëshime nga Koreja së Veriut, pasi sipas saj,është shkelje e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Lansimi i një rakete balistike nga Koreja e Veriut është një akt provokimi i rëndë që kërcënon paqen dhe sigurinë e gadishullit Korean dhe komunitetit ndërkombëtar”, thanë në një deklaratë shefat e përbashkët të shtabit të Koresë së Jugut.
Koreja e Jugut kishte zbuluar më herët shenja se Veriu po përgatitej të lëshonte një raketë balistike të lëshuar nga nëndetësja (SLBM), tha zyra e presidentit të shtunën – një armë që Pyongyang e testoi për herë të fundit në maj.
Komanda e SHBA-së Indo-Paqësor tha se lëshimi nuk përbënte një “kërcënim të menjëhershëm për personelin apo territorin e SHBA-së, apo për aleatët tanë”, por gjithsesi theksoi ndikimin destabilizues të armëve të paligjshme bërthamore dhe programeve të raketave të Koresë së Veriut.
“Koreja e Veriut gjuajti një raketë balistike të paidentifikuar në Detin Lindor,” thanë shefat e përbashkët të shtabit të Seulit herët të dielën, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Roja bregdetare e Japonisë konfirmoi gjithashtu një lëshim të mundshëm të raketës balistike, duke cituar informacione nga ministria e mbrojtjes e Tokios.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, i cili mori detyrën në maj, është zotuar të përforcojë stërvitjet e përbashkëta ushtarake me SHBA-të, pas shumë vitesh të dështuara të diplomacisë me Korenë e Veriut.
Të premten, aeroplanmbajtësja USS Ronald Reagan me energji bërthamore dhe anijet e grupit të saj sulmues u ankoruan në qytetin port jugor të Busan, pjesë e një shtytjeje nga Seouli dhe Washingtoni për të pasur më shumë asete strategjike të SHBA-së që veprojnë në rajon.
Yoon, të enjten, do të takohet me nënpresidenten e SHBA, Kamala Harris, kur ajo viziton Seoul-in këtë javë, pas një vizite të presidentit Joe Biden në maj dhe kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, muajin e kaluar.
USS Reagan do të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta në brigjet lindore të Koresë së Jugut këtë muaj.
Uashingtoni është aleati kryesor i sigurisë së Seoul-it dhe stacionon rreth 28,500 trupa në Korenë e Jugut për ta mbrojtur atë nga Veriu.
Të dyja vendet kanë kryer prej kohësh stërvitje të përbashkëta, për të cilat ata këmbëngulin se janë thjesht mbrojtëse, por Koreja e Veriut i sheh ato si prova për një pushtim të mundshëm.
“Por testet kryesore të Koresë së Veriut janë, mbi të gjitha, pjesë e një fushate afatgjatë për avancimin e aftësive ushtarake sulmuese”, tha Leif-Eric Easley, profesor në Universitetin Ewha në Seul.
Zyrtarët e Koresë së Jugut dhe të SHBA-së kanë paralajmëruar prej muajsh se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, po përgatitet të kryejë një tjetër provë bërthamore. Regjimi i izoluar ka testuar armë bërthamore gjashtë herë që nga viti 2006.