Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka treguar se nuk është kundër përmbajtjes së ligjit për tekste shkollore, porse për votimin e tij e ka një kusht.
Korenica, në “Debat Plus”, u shpreh se nëse nuk hiqet Udhëzimi Administrativ që e ndalon bartjen e mbulesës në shkollat e mesme, nuk do ta votojë ligjin për tekstet.
Sipas tij, për këtë çështje është në dijeni edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Deputeti i VV-së tha se ndalimi i mbulesës në shkollat e mesme është i paligjshëm.
“Nuk jemi kundër përmbajtjes pse s’e votoj ligjin për tekste shkollore. Pse s’e kemi votu është sepse ka tre vite që ne e kemi diskutu me ministren Nagavci që të hiqet Udhëzimi Administrativ racist për mbulesën, i cili ka krijuar kokëqarje shumë vajzave që kanë vendosë ta vendosin shaminë, e që nuk kemi hasur në një mirëkuptim. I kemi dhënë kohë, ky UA është i paligjshëm, kemi edhe deklaratën e zyrës së kryeministrit që i njëjti udhëzim është i kundërligjshëm. E drejta për shkollim duhet të ju garantohet të gjithëve pa dallim, pavarësisht bindjeve, në bazën e kësaj këtë e kemi marrë si pozicion të fundit që të ketë reflektim”, tha ai.