Kosova dhe BE nënshkruajnë marrëveshjen IPA III në vlerë afër 64 milionë euro

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar marrëveshjen IPA III në vlerë afër 64 milionë euro. Ndërsa, pas nënshkrimit zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se çështja e liberalizimit të vizave do të ketë shumë shpejt zgjidhje finale

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Ambasadori i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me Ambasadorin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë nënshkruar marrëveshjen për programin e parë financiar vjetor IPA III.

Kjo marrëveshje e nënshkruar të martën, për zbatimin e ndihmës financiare të unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit të paraanëtarësimit, është në vlerë prej 63.96 milionë eurosh.

Bislimi në konferencë për media ka deklaruar se si rezultat i pandemisë një pjesë të madhe të projekteve IPA ll janë zhvendosur edhe për një vit, dhe se projektet e përfunduara janë bartur në IPA lll.

“Ajo çka kemi bërë ne për shkak të vonesave si rezultat i pandemisë, një pjesë të madhe të projekteve IPA ll i kemi zhvendosur edhe për një vit apo u kemi shtyrë afatin. Por, projektet që kanë përfunduar dhe kanë rezultuar me kursime i kemi bartur në IPA III pasi nuk dëshirojmë të humbë asnjë grant i BE-së”, ka thënë Bislimi.

Bislimi për çështjen e liberalizimit të vizave ka thënë se shumë shpejt pritet që të gjejë një zgjidhje finale, pasi bashkëpunimi me 26 shtetet anëtare të BE-së sipas tij është shumë i ngushtë.

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës

“Ne kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe intensiv me secilën qeveri nga 26 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe jemi duke adresuar çfarëdo brenge që ata mund të kenë sa i përket liberalizimit të vizave, dhe jam shumë konfident që kjo çështje shumë shpejt do të marrë zgjidhjen finale”, ka deklaruar Bislimi.

Po ashtu, Szunyog ka thënë se Bashkimi Evropian tashmë është shumë i lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, dhe sipas tij dialogu me shtetin serb është e vetmja mënyrë që Kosova të hyjë në BE.

“Mendoj që është e qartë se procesi integrues i Kosovës për në Bashkimin Evropian është i lidhur me dialogun dhe mënyra e vetme që Kosova mund të shkojë në BE është një lloj negocimi për dakordim dhe ratifikim të marrëveshjeve gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, ka deklaruar Szunyog, në konferencë për media.

Në Kuvendin e Kosovës, më 28 korrik, të gjitha grupet parlamentare i kanë dhënë përkrahje marrëveshjes së partneritetit për kornizën financiare me Komision Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të unionit për Kosovën.

Sipas zëvendëskryeministrit, Bislimi, qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që të krijohet baza ligjore që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian.

“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që të krijojmë bazën e nevojshme ligjore që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian të ofruara në kuadër të instrumentit të paraanëtarësimit, apo fondet IPA III, për programet vjetore IPA 2021-2027,″ ka thënë Bislimi.

Sipas Bislimit, kjo e hap rrugën për të lidhur marrëveshje të tjera për të përfituar nga fondet e BE-së.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika