Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se nëpërmjet një marrëveshjeje, Kosova dhe Hungaria do të njohin patentë shoferët e njëra-tjetrës.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka shtuar se kjo projekt-marrëveshje ka për qëllim lehetësimin e qarkullimit rrugor te të dyja palët. Sveçla ka treguar se marrëveshja ka kaluar të gjitha hapat proceduralë të parashikuar me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare.
“Më lejoni para jush të propozoj nismën e marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Hungarisë për njohjen reciproke të patentë-shoferëve. Kjo projekt-marrëveshje ka për qëllim lehetësimin e qarkullimit rrugor te të dyja palët. Marrëveshja ka kaluar të gjitha hapat proceduralë të parashikuar me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Sveçla në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Gjatë kësaj mbledhjeje, kryeministri Kurti ka shtuar se gjatë një viti e gjysmë qeverisje, në vetëm 1/3 e mandatit janë kaluar mbi 150 projektligje, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në kuvend.
“Përmes projektligjeve të miratuara kemi fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe korrupsionit, deklarimin më efikas të pasurisë, inicimin e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Kemi themeluar Gjykatën Komerciale, kurse sot do të trajtojmë projektligjin për Prokurorinë Speciale dhe atë për prokurorin e shtetit”, ka thënë ai.
Sipas kryemisnitrit, historia mëson se zgjidhjet afatgjate janë të paarritshme atëherë kur nuk bazohen në parimet e drejtësisë, e së vërtetës dhe garantimit për mospërsëritje.