Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj bashkë me homologun e tij nga Malit i Zi, Rashko Konjeviq, e kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në mes të dy vendeve.
Në një konferencë për media, ministri Mehaj, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar do ta rris bashkëpunimin në mes të dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
“Nënshkrimi bilateral për bashkëpunim ngrit bashkëpunimin në shumë fusha, nëpërmjet kësaj zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, në aspektin e sigurisë, stabilitetin dhe demokracinë në vendet tona por edhe në rajon në mënyrë gjithëpërfshirëse”, ka thënë Mehaj.
Mehaj bëri të ditur se ky bashkëpunim do të shtrihet edhe në shkëmbimin e përvojave akademike dhe po ashtu marrëveshja do të sigurojë mbështetje reciproke në kapacitete profesionale në rast të emergjencave të natyrave të ndryshme.
“Bashkëpunimi do të shtrihet në shkëmbimin e përvojave profesionale sa i përket kuadrove tona akademike, specialistike, deri te angazhimi i mbështetjes reciproke në kapacitete profesionale në rast të emergjencave që është e domosdoshme edhe në rajon”, ka thënë ai.
Mehaj tha se Mali i Zi, e mbështetë Kosovën për arritjen e synimeve për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.