Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se ka nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunim Doganor me Ministrin e Financave të Arabisë Saudite, Mohammed Al Jadaan.
Murati përmes një postimi në “Facebook;’ ka shkruar se marrëveshja u nënshkrua në ceremoninë hapëse të Konferencës Ndërkombëtare për Zekatin, Tatimin dhe Doganat 2024. Sipas njoftimit thuhet se kjo marrëveshje do të kontribuojë në lehtësimin e tregtisë, përmirësimin e sigurisë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Sot kisha nderin që në emër të Republikës së Kosovës të nënshkruaj Marrëveshjen për Bashkëpunim Doganor me Ministrin e Financave të Arabisë Saudite, z. Mohammed Al Jadaan. Marrëveshjen e nënshkruam në ceremoninë hapëse të Konferencës Ndërkombëtare për Zekatin, Tatimin dhe Doganat 2024, ku po marrim pjesë bashkë me Drejtorin e Doganave Agron Llugaliu dhe atasheun doganor Bekim Mehmetaj. Kjo marrëveshje, që adreson çështjet doganore dhe është në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, përfaqëson një hap të madh përpara në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Duke përafruar bashkëpunimin tonë shumë dimensional në fushën e Doganave, marrëveshja do të kontribuojë në lehtësimin e tregtisë, përmirësimin e sigurisë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik”, ka shkruar Murati.
Murati ka thënë se “Republika e Kosovës vazhdon të ndërtojë partneritete që sjellin përfitime të prekshme për ekonominë dhe qytetarët tanë, dhe njëkohësisht forcojnë lidhjet tona me shtetet mike”.