Është nënshkruar deklarata e përbashkët në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës për bashkëzbarkimet e forcave të të dyja vendeve në kuadër të misioneve ushtarake, ka njoftuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka bërë të ditur se vizita e tij në Mbretërinë e Bashkuar dhe takimi me ministrin e Forcave të Armatosura dhe Veteranëve, James Heappey, i paraprin bashkëpunimeve të mëtejshme në vitet në vazhdim.
“Ky takim, përveç konfirmimit të mbështetjes nga ana e Mbretërisë së Bashkuar në synimet tona për integrim në NATO, i paraprin edhe planit tonë të bashkëpunimit për vitet në vijim. Në kuadër të këtij bashkëpunimi është nënshkruar deklaratë e përbashkët ndërmjet ministrave për bashkëzbarkimin e FSK-së me Ushtrinë britanike në misionet ku angazhohet Mbretëria e Bashkuar me trupat e saj ushtarake”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj ka cilësuar deklaratën e përbashkët si rikonfirmim të besueshmërisë në mes të të dyja vendeve.
KFOR-i ka bërë të ditur se nga 27 shtatori deri më 2 nëntor të këtij viti, Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO (KFOR) do të kryejë një stërvitje rutinë me një nga njësitë e tij, me ç’rast do të bëhet një rritje e përkohshme e numrit të trupave në terren.
Përmes një komunikate për media, KFOR-i kishte bërë të ditur se një kontigjent ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar do të arrijë në Kosovë më 11 shtator, për aktivitetet e njohjes dhe integrimit me asetet dhe personelin e KFOR-it përpara stërvitjes.