Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas publikimit të Indeksit vjetor të Sundimit të Ligjit “World Justice Project”, ka thënë se këtë vit “World Justice Project’” e ka renditur sërish Republikën e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit. Ajo gjithashtu e ka renditur Kosovën në vendin e dytë në mbarë botën për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar.
World Justice Project: Kosova e dyta në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit
Kështu duke lavdëruar qeverisjen e tij dhe të kabinetit të tij për reformat që po i bën kjo qeveri sa i përket sundimit të ligjit.
Sipas Kurtit ky rezultat është “Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë dhe po funksionojnë me shpejtësi”.
Gjithashtu, edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, i pasoi fjalët e kryeministrit duke thënë se kjo renditje tregon angazhimin e qeverisë dhe përkushtimin në fushën e sundimit të ligjit.
“Sipas raportit më të fundit të publikuar nga “World Justice Project”, Kosova radhitet në vendin e dytë në botë sa i përket përmirësimit në fushën e sundimit të ligjit dhe e para në Ballkanin Perëndimor në rankimin e përgjithshëm”.
Por, raporti i “World Juctice Project” për Rendin dhe Sigurinë shkruan se gjatë vitit 2020 Kosova renditej në vendin e 54-t, kurse në vitin 2021 kur erdhi në pushtet Kurti, Kosova u rangua në vendin e 60-të, në një pozitë ku ishte pas disa vendeve afrikane dhe të Amerikës Latine.
Ndërkaq, në vitin 2022 Kosova shënon diçka më mirë se vitin e kaluar, kështu duke kaluar në vendin e 57.
Kosova në vitin 2020 rangohej e 62-ta në botë sa i përket mungesës së korrupsionit, ndërkaq, në vitin 2021 u rangua në vendin e 68-të, e në këtë vit u rangua në vitin në vendin e 61.
Edhe sa i përket transparencës së qeverisë, në vitin 2020 rangohej në vendin e 44-të, në vitin 2021 u rangua në vendin e 55-të, 9 vende më dobët, ndërsa tash rangohet në vendin e 46-të.