Kosova e “zhytur” nga mallrat e huaja, në qershor eksportoi vetëm 68,5 milionë, ndërsa importoi mbi 467 milionë euro

Deficiti tregtar u ul për 4,6%, me eksportin që mbuloi importin me 14,7%. Në të njëjtën kohë, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, kritikon politizimin e ekonomisë dhe mungesën e aktivitetit politik si faktor për zhvillimin ekonomik të vendit. Naim Huruglica, një ekspert i njohur i ekonomisë, ka dhënë detaje të mëtejshme rreth rënies së importit në Kosovë. Ai shpjegon se kjo rënie është një rezultat i zvogëlimit të fuqisë blerëse të konsumatorëve, pasi ka ndikuar rritja e çmimeve të produkteve gjatë dy viteve të kaluar. Ndërsa, profesori universitar i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, shpalos përfitimet e rënies së importit nga Serbia

Foto ilustrim

Eksporti i mallrave në muajin qershor 2023 kishte vlerën e 68,5 milionë eurove, ndërsa importi ka arritur në 467,3 milionë euro, që është një rënie prej (-8,1% për eksport dhe (-5,2%) për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Duke u bazuar në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të titulluar “Statistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ), Qershor 2023” vlerësohet se Kosovës i është ulur për 4,6% deficiti tregtar për muajin qershor 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas këtij raporti, volumi i deficitit është më i ulët për 4,6% në muajin qershor 2023, gjegjësisht në vlerë prej 398,8 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 418,1 milionë euro në vitin 2022. Pra, eksporti mbulon importin me 14,7%.

ASK: Eksporti dhe Importi sipas standardeve Qershor 2022 dhe Qershor 2023

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 4,6% në muajin qershor 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 398,8 milion euro, krahasuar me deficitin prej 418,1 milionë euro në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 14,7%”, sipas ASK-së.

ASK: Eksportet dhe Importet sipas seksioneve të KSTJ (SITC) Qershor 2022 dhe Qershor 2023

Në lidhje me këtë, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ekonomisti Safet Gërxhaliu, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se ekonomia e vendit është politizuar dhe po anashkalohet, përderisa ka theksuar se kusht kryesor për zhvillimin ekonomik është aktiviteti politik dhe kjo po i mungon Kosovës.

Safet Gërxhaliu, njohës i çështjeve ekonomike

“Në rend të parë duhet të kuptohet që agjenda politike në Kosovë duke dominuar, ekonomia në një farë forme është politizuar dhe po anashkalohet. Në rend të dytë duhet të kuptohet ajo e vërteta që ndër kushtet kryesore për zhvillim ekonomik është aktiviteti politik dhe kjo po i mungon Kosovës. Ndërsa ka efekte mungese të aktivitetit politik jo vetëm për investitorë të huaj edhe për diasporën për të jetuar në Kosovë. Po e shihni që definitivisht edhe trendet e importit dhe eksportit janë duke shënuar rezultate negative”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka thënë se rënia e importit dhe eksportit në muajin qershor është diçka shqetësuese, sipas tij ka pasur edhe mbyllje të kufirit me importe dhe mallra nga Serbia.

“Vetë fakti që e kemi muajin qershor dhe kemi rënie të importeve dhe rënie të eksporteve diçka është shqetësuese, fakti që kemi pas mbyllje të kufirit me importe dhe mallra nga Serbia është po ashtu një fenomen që duhet të analizohet”, ka thënë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, edhe njohësi i ekonomisë, Naim Huruglica, për Portalin Dukagjini ka dhënë detaje më shumë rreth rënies së importit.

Sipas tij, rënia e importit është direkt reflektim i rënies së konsumit, për arsye se rritja e madhe e çmimeve që kishte ndodhur gjatë dy viteve të kaluara ka ndikuar në fuqinë blerëse të konsumatorit në Kosovë.

Naim Huruglica, ekonomist

“Rënia e importit ose në këtë rast është direkt reflektim i rënies së konsumit, për arsye se rritja e madhe e çmimeve që ndodhi gjatë dy viteve të kaluara e ka ndiku fuqinë blerëse të konsumatorit në Kosovë”, ka thënë Huruglica.

Ai ka thënë se kjo është si pasojë e ngritjes së çmimeve në tregun e jashtëm dhe kjo tashmë në ekonomi mund të pasojë edhe efektet negative të saja.

“Kjo është drejtpërdrejt rezultat ose pasojë e rritjes së çmimeve në tregun e jashtëm. Tash në ekonomi normal ajo mund të ketë pasoja sepse fillimisht bizneset të cilat i kanë tregtuar ato mallra do të kenë qarkullim më pak dhe automatikisht i bie që ekonomia ose ato sektorë të ekonomisë janë në një mënyrë rënie e jo duke u rritur”, ka vijuar ai.

Po ashtu, edhe profesori universitar i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për Portalin Dukagjini shpalosi disa detaje në lidhje me rënien e importit nga Serbia.

Kadriaj ka thënë se rënia e importit nuk është anë negative, për faktin se fuqizohet prodhimi vendor në këtë drejtim. Sipas tij, fuqizimi i prodhimit vendor në treg do të duhej të ishte diçka e mirëseardhur.

Mustafë Kadriaj, ekonomist

“Unë besoj që është diçka e mirëseardhur dhe nuk shoh diçka që do të ketë negativitet në pjesën e ekonomisë së vendit për faktin që fuqizohet prodhimi vendor sepse së paku tek pjesa e prodhimit bujqësorë, kulturat bujqësore nuk kemi nevojë ne të blejmë tek pjesa industriale ushqimore ka shume produkte që mund të zëvendësohen nga prodhuesit vendorë ose edhe nga prodhimi ‘Made in’ shtetet tjera. Por, më së paku ne kemi nevojë që të importojmë dhe të konsumojmë prodhime që kanë përkatësi serbe”, është shprehur Kadriaj.

Ndonëse, sipas Gërxhaliut, problemet publike me Serbinë janë evidente, siç thotë ai, këto importe duhet të analizohen pa emocione dhe vetëm me kalkulime ekonomike.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk është importi i Serbisë vetëm plazma keksi dhe pijet, por më tepër se 73% e importeve janë lëndë e parë dhe janë gjysmë produkte që e kompletojnë prodhimin “Made in Kosova”.

Ndërsa ekonomisti Huruglica ka thënë se “çdo produkt serb që vjen mund të jetë i zëvendësueshëm me një produkt tjetër qoftë nga regjioni ose nga vendet e treta dhe se ky trendi i rënies së importit e ka përcjellë Kosovën qysh prej janarit edhe para se me u fut masat ndaj Serbisë”.

Sipas Huruglicës, është një shans e mirë për produktin vendor që në ato kategori të atyre mallrave, të cilat ato mund t’i zëvendësojnë prodhimet e Serbisë, të rrisin pjesëmarrjen e tyre.

“Edhe pse të bëhemi të sinqertë se është periudhë shumë e shkurtër për me thënë se prodhuesit vendorë mund të arrijnë aq shpejt të plotësojnë pjesën e produkteve të cilat i kanë importuar nga Serbia”, ka përfunduar Huruglica.

Në lidhje me këtë çështje, ekonomisti Gërxhaliu ka potencuar se çdo tentim i zëvendësimit e ka koston e vet.

“Po duhet të kuptohet që çdo tentim i zëvendësimit e ka koston e vet. Po e marrim vetëm një indikator, në qoftë se i njëjti mall që importohet nga Serbia koston e transportit e ka 500 euro, i njëjti mund të zëvendësohet kudo në Evropë por kostoja e importit dhe transportit është afër 4200 euro. I njëjti mall mund të gjendet edhe në Turqi, por importi i mallrave nga Turqia e ka koston një maune 3000 euro dhe po e shihni që në prodhimet kosovare nuk mund të jenë konkurrente dhe e dyta kush do të jetë i atakuar më së shumti, do të jetë qytetari i Kosovës dhe komuniteti i biznesit”, ka vijuar ai.

“Duhet me të vërtet të realizohet struktura ose duhet të depolitizohet ekonomia, thotë ai, ndërsa kostoja do të ndikojë në prodhimin final dhe tek qytetari, dhe në këtë drejtim do të kemi rënie permanente të eksporteve, sepse është e pamundur sot të jemi konkurrues në qoftë se kemi çmime të larta të kostos së prodhimit “Made in Kosova”. Në fund të fundit, jemi një ekonomi e lirë e tregut ku duhet të jemi të orientuar në faktorin lidhës për fuqizim të prodhimit dhe jo të bëjmë barriera për rritje të eksporteve të produkteve ‘Made in Kosova’”, ka përfunduar Gërxhaliu.

Ndërsa, ekonomisti Kadrijaj, ka thënë se është me rëndësi që kosovarët derisa kanë mundësi të zëvendësojnë një produkt me produktin serb, nuk kanë nevojë që ta konsumojnë dhe ta blejnë, por ta largojnë nga tryeza e tyre, për faktet e ditura si në retrospektivën e kaluar, por edhe tani.

Sipas tij, nuk është efektive që qeveria të marrë vendime që mund të marrin vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare.

“Kosovarët derisa kanë mundësi të zëvendësojnë një produkt me produktin serb, nuk kanë nevojë që ta konsumojnë dhe ta blejnë, por ta largojnë nga tryeza e tyre, për faktet e ditura si në retrospektivën e kaluar, por edhe tani. Nuk jam ithtar që qeveritë tonë të marrin vendime, sepse nuk po ka efekt, përkundrazi, po ka efekte negative, sepse po marrim reagime jo të mira nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, si nga Bashkimi Evropian po ashtu edhe nga vetë ShBA-të”.

Sipas tij, përderisa ka import të lartë dhe derisa prodhimi vendor nuk qëndron mirë, sipas tij po shihet që ende nuk ka arritur përkrahja e qeverisë për prodhuesit vendorë.

“Në bazë të deklarimeve të qeverisë dhe ministrit të Bujqësisë deklarohen me plot gojën që janë duke përkrahur prodhuesit vendorë, por kur flasim mbi bazë të gjendjes së tyre aktuale po shihet që prodhimi vendor ende nuk është në nivelin e duhur, sepse ende nuk po mund të zëvendëson importin, prodhimi vendor. Jo që po kemi eksport por ne po jemi të ndytur nga importi. Pra ne, prodhuesit vendor nuk po mund ta mbulojnë tregun vendor me ato prodhime që duhet të kishte mundur dhe kanë mundësi por si rezultat i politikave jo të favorshme nga ana e qeverisë. Përderisa e ke importin e lartë dhe përderisa prodhimi vendor nuk qëndron mirë, kjo po shihet që ende nuk ka arritur përkrahje e shtetit të prodhuesit vendorë”.

Ai ka thënë se në momentin që ka kërkesa për prodhime vendore, tentimi për rritjen e çmimeve po arrin në një fazë më të lartë.

“Eventualisht çka mund të pëson, që do të ishte dashur Qeveria ta kontrollon, sepse po është një lloj vetëdije jo e lartë e prodhuesit vendor, momentin që po rritet kërkesa për prodhime vendore, prapë po tentohet që t’i rrisin çmimet”, ka përfunduar ai.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 21,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16,3% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 14,4% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani etj.

Ndërsa, grupet kryesore të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13,4%, pasuar nga produktet minerale me 13,2%, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 11,5%, 10,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre dhe 10,2% e përbëjnë mjetet e transportit.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 22,8 milionë euro, ose rreth 33,4% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-4,9%). Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 199,6 milionë euro, ose 42,7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (3,7%)”, vijon në njoftimin e ASK-së.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,7%), Italia (4,0%), Holanda (3,3%). Ndërsa, importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13,3%), Italia (5,7%), Greqia (4,4%).

Në muajin qershor 2023, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 27,9 milionë euro, ose 40,7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-1,1%). Partnerët kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (14,4%), Maqedonia e Veriut (14,4%), Mali i Zi (5,3%), Serbia (5,1%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin qershor 2023, arritën në 72,4 milionë euro, ose 15,5% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-22,0%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,3%), Maqedonia e Veriut (5,3%), Serbia (2,8%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 17,7 milionë euro, ose 25,9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (10,2%) dhe  Zvicra (9,9%). Përderisa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 195,3 milionë euro, ose 41,8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Turqia (14,5%) dhe Kina (10,3%).

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika