Në Kampionatin Ballkanik të xhudos që po mbahet në Bullgari, Kosova ka fituar gjashtë medalje, një të artë, një të argjendtë e katër të bronzta.
Xhudistët kosovarë kanë vazhduar me paraqitje të jashtëzakonshme, duke triumfuar me medalje në Kampionatin Ballkanik, ku morën pjesë 11 shtete.
Me medaljen e artë u kurorëzua Shpati Zekaj në kategorinë deri në 100 kilogramë.
Me medalje të argjendtë u stolis Erza Muminoviq në kategorinë 48 kilogramë, kurse Loriana Kuka 78 kg, Dardan Cena 73 kg, Muhamedin Veseli 60 kg dhe Debora Gjakova 57 kg, fituan medalje të bronztë.

“Foto nga kampionët Ballkanik për seniorë në Pazarxhik të Bullgarisë! Shpati dominoi në të gjitha luftërat dhe u kurorëzua me titullin Kampion Ballkanik”, ka shkruar trajneri Driton Kuka ndër të tjera në faqen e tij në Facebook.
Me ekipin e xhudistëve në Bullgari ishin trajnerët Meli Zeka dhe Cuki Veseli.
Ndërkaq, edhe në Lojërat Mesdhetare Oran 2022 që janë mbajtur në Algjeri, “Dardanët” përfunduan në vendin e 16-të, pasi i fituan gjashtë medalje.
Pesë medalje i siguroi sporti i xhudos dhe një ai i boksit, në një total prej tri të artave dhe tri të bronztave.
Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu fituan medaljet e arta në këtë garë prestigjioze, kurse Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Shpejtim Bajoku fituan medaljet e bronzta.
Edhe kësaj herë ishin kryesisht garuesit nga xhudoja që e bënë Kosovën të jetë krenare.
Lojërat Mesdhetare Oran 2022 kanë përfunduar, Kosova e 16-ta në renditje