Analisti Artan Muhaxhiri, ka thënë se Kosova nuk ka qasje të duhur karshi dialogut.
I ftuar në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, analisti Muhaxhiri ka theksuar se mosarritja e një marrëveshjeje në Bruksel, është një zhgënjim i madh dhe një pozitë negative dhe e disfavorshme për Kosovën.
“Në bazë të deklaratave u pa që ka ekzistuar një keqkuptim i madh për sot, Kurti kishte shkuar për të biseduar për marrëveshjen finale, ndërsa Borrell dhe Vuçiq biseduan për targat, nuk e kuptoj si ka mundur të jetë një keqkuptim kaq i madh. Mendoj që nuk i bën nder Kosovës sepse nuk është mirë, tani edhe BE-ja pas disa orëve BE-ja do ta lëshojë një deklaratë zyrtare ku do ta fajësojë Kosovën për dështimin e këtyre bisedimeve, edhe Departamenti amerikan i Shtetit do ta shfaqë zhgënjimin”, ka thënë Muhaxhiri.
Sipas tij, është hera e parë që Kosova nga një viktimë shndërrohet në një lloj viktimizuese e proceseve politike sepse siç thotë a, Kosova nuk po tregohet elastike, në nivel të duhur të diplomacisë.
“Kurti deklaroi vetë që Borrell hoqi dorë nga plani franko-gjerman e unë nuk e kuptoj se kush ka qenë i përgatitur për të biseduar për këtë plan. Është absurde të thuhet se Borrell hoqi dorë sepse ai është një zyrtar i BE-së, nuk është si përfaqësues i qeverisë së vet”.
“Është gabim i madh që të personalizohet dhe të drejtohen të gjitha shigjetat drejt Borrellit. Nuk e di se si Kurti do ta rikuperojë këtë”, shtoi ai.
Në anën tjetër, për profesorin Seb Bytyqi, kryeministri Kurti po vepron drejtë, dhe se Serbia ka bërë hapa mbrapa.
“Mendoj që duhet ta shohim këtë në kontekstin e negociatave të përgjithshme. Këtu e kemi një situatë ku faktikisht Serbia po insiston që të formohet Asociacioni para se të përkushtohet për planin e BE-së apo franko-gjerman. Nuk mund të thuhet se është një gabim nëse e marrim në përgjithësi dialogun ose negociatat. Kemi një kthim mbrapa nga Serbia që po pret që si parakusht po pret që të formohet Asociacioni”, ka thënë ai.
Se s ai kushton Kosovës ky qëndrim në marrëdhëniet ndërkombëtare, Bytyqi ka theksuar se problemi është që Kosova është në një pozitë aq të dobët sa që nuk ka se çfarë t’i kushtojë.
“Nuk ka as status të kandidatit, as fonde që mund t’i ndërpriten, po ta kishte statusin e kandidatit atëherë do të ishte tjetër situatë, por aq mbrapa ka mbetur Kosova sa që BE-ja s’ka as mjete ndëshkuese”, ka thënë Bytyqi.
Megjithatë, sipas Bytyqit, Kosova me planin e BE-së e ka një dritë në fund të tunelit që do të ketë një afatizim.
E për këtë, reagoi analisti Muhaxhiri, teksa e kundërshtoi profesorin Bytyqi.
Sipas Muhaxhirit, Kosova ka shumë se çfarë të humb, duke filluar nga procesi i dialogut e deri te liberalizimi i vizave.
“Nuk pajtohem me Bytyqin, nuk pajtohem që Kosova nuk ka çfarë të humb, Kosova ka shumë se çfarë të humb, mund ta humb procesin e dialogut, ta ngadalësojë atë, apo ta bllokojë. Procesi i dialogut konsiderohet arritja e marrëveshjes, e cila do të ndikojë edhe në njohjen nga 5 vendet e tjera. Mos ta përmendim liberalizimin e vizave, të gjitha janë çështje politike dhe varen nga konstruktiviteti i Kosovës në raport me BE-në”.
Ai ka thënë se qeveria duhet të jetë transparente, t’i publikojë sugjerimet që Bislimi i propozoi në Bruksel.
“Frika ime është që Kurti ka hyrë në një rrugë shumë të rrezikshme nga e cila mund të fitojë shumë por edhe mund të humbë shumë”, ka thënë Muhaxhiri.
Se a do të mund të krijohen pasoja negative nëse krijohen incidente në veri për shkak se pas datës 21 nëntor do të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë për gjobitjen e automjeteve të cilat janë me targa ilegale, edhe Muhaxhiri edhe Bytyqi besojnë se do të ketë incidente.
“Nëse krijohen incidente sigurisht që mund të ketë pasoja negative. Por çështja është se sa është në gjendje Kosova t’i përballojë ato. Qëndrimi i Kosovës lidhet me dialogun e përgjithshëm, nuk po flasim më vetëm për targat, por nëse Serbia nuk ka përkushtim ndaj planit franko-gjerman, planit të BE-së dhe nëse Kosova bën kompromis për targa atëherë çfarë është poenta e kësaj? Deri më tash kemi pasur gjendje të dialogut permanent”, ka thënë Bytyqi.
Ndërsa Muhaxhiri ka theksuar se Serbisë i konvenon në rast se do të ketë incidente.
“Incidentet do të ndodhin, sepse Serbisë i konvenon, ato mund edhe t’i nxit ato. Sipas të gjitha indikacioneve sepse në momentin ku shpërndahen gjobat do të ketë arrestime, reagime. Do të jetë një imazh negativ për Kosovën, një dëm që i bëhet Kosovës dhe pozicionit dialogues të Kosovës”, shtoi ai.