Kosova i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut, e quan “provokim” situatën në Aeroportin e Shkupit

Presidenca kosovare kërkoi nga autoritetet në Shkup që “në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Kosovës”, me urgjencë të trajtojnë këtë rast dhe të merren masa “ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenca e Kosovës tha se është e indinjuar me deklarimet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, por edhe me, siç e cilësoi, propagandën kundër Kosovës nga disa media në shtetin fqinj, lidhur me incidentin që ndodhi më 1 gusht në Aeroportin e Shkupit ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se i ka paraqitur një notë proteste autoriteteve maqedonase, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.

Presidenca kosovare kërkoi nga autoritetet në Shkup që “në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Kosovës”, me urgjencë të trajtojnë këtë rast dhe të merren masa “ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës”.

“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, u tha në reagim.

Një ditë më herët, Presidenca kosovare njoftoi se Osmanit ishte tentuar t’i merrej telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit, në kundërshtim, siç tha, të praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Përmes një reagimi të gjatë, Presidenca e Kosovës tha më 2 gusht se në vend se të kërkojë falje, MPB-ja maqedonase “ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”.

MPB-ja maqedonase ka deklaruar se më 1 gusht, Osmani teksa po kalonte kontrollin kufitar, kur i është kërkuar që ta lë telefonin dhe të kalojë përmes skanerit, “një person nga sigurimi i saj e ka tërhequr të punësuarin në TAV-it, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.

Por, Presidenca tha se Osmanit i është kërkuar që ta vendosë telefonin personal në skaner dhe ajo ka refuzuar.

“Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB-ja e Maqedonisë pranuan se urdhri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, u tha në reagimin e Presidencës kosovare.

Presidenca sërish ka sqaruar të gjithë incidentin, duke përsëritur se ngjarja e 1 gushtit është në kundërshtim me praktikën ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Ky institucion tha po ashtu se Policia e Kosovës “ka reaguar profesionalisht”, pasi zyrtarët e Aeroportit të Shkupit tentuan ta pengonin fizikisht presidenten Osmani.

Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike veç tjerash, mbron statusin diplomatik, privilegjet dhe imunitetin e krerëve të shteteve dhe anëtarëve të stafit të tyre në territorin e shteteve të tjera. Në këtë konventë, kur flitet për udhëtimet, thuhet se personave që kanë status diplomatik, dhe stafit të tyre, duhet t’u lejohet lëvizje e lirë.

Presidenca tha se është “skandaloze” të pretendohet se Osmani kishte pasur “diçka të dyshimtë në çantë e saj”.

“Jo vetëm se është një e pavërtetë e madhe, por kjo njëkohësisht është akuza më e rëndë dhe propaganda më e rëndë e bërë ndonjëherë nga media në Maqedoni të Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës. Edhe më skandaloze është deklarata e sotme e MPB-së, se kinse ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat kanë shpjerë te kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të presidentes”, u tha në reagim.

Ndaras, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se përveç paraqitjes së notës së protestës, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, mbrëmjen e 1 gushtit, e ka thirrur në bisedë sqaruese ambasadoren maqedonase në Kosovë.

Po ashtu, ajo është takuar me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Arben Fetai, me të cilin ka biseduar për këtë ngjarje dhe pasditen e së premtes ka pranuar një “telefonatë nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm”.

Në mbrëmjen e 2 gushtit, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut shprehu “keqardhje për keqkuptimet që ndodhën gjatë udhëtimit të djeshëm të presidentes Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit”.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pas një analize adekuate të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, u tha në reagim

Pala maqedonase një ditë më parë po ashtu tha se ka nisur hetimin e këtij rasti. Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut deklaroi se pasi Osmani kaloi kontrollin kufitar, “erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, [polic] me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”.

Presidenca kosovare më 1 gusht tha se e kishte informuar kryeparlamentarin Afrim Gashi për incidentin, duke e falënderuar për ndihmën.

Gashi, më 2 gusht, sqaroi se ai ka ndërhyrë vetëm për të “shmangur një incident diplomatik”.

“Angazhimi im ka qenë dhe do të jetë që të qetësojmë, të bashkojmë, të mos përçajmë, e të bëjmë incidente”, tha Gashi.

Megjithatë, ai shtoi se nëse kushdo ka tejkaluar autorizimet, duhet të mbajë përgjegjësi.

Nga kompania TAV, thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë.

Por, Presidenca kosovare tha se praktikat ndërkombëtare për krerët e shteteve duhet të respektohen edhe nga kompanitë private që menaxhojnë aeroportet, ashtu siç tha, ndodh edhe në Aeroportin e Prishtinës.

Për incidentin e 1 gushtit kanë reaguar edhe përfaqësues të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët kanë dënuar rastin, ndërkaq zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se ka pasur “keqkuptim mes MPB-së, TAV-it dhe sigurimit të Osmanit është tejkaluar “pa komplikime dhe situata është tejkaluar pa pasoja”.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika