TANI QË SPANJA I KA NJOHUR PASAPORTAT KOSOVARE, ÇKA VJEN MË TUTJE?
Në njërën nga traditat më të vjetra katolike në Spanjë, tre njerëz të urtë vijnë në shtëpitë spanjolle me dhurata çdo 6 janar. Ose, nëse ka pasur sjellje të keqe gjatë vitit, të sjellin qymyr.
Më 6 janar 2024, si të ishte dhuratë nga njerëzit e urtë, institucionet spanjolle njoftuan se do t’i pranojnë pasaportat e Kosovës.Teksa po hapja dhuratat e mia, telefoni filloi të zhurmonte nga mesazhet që ma jepnin dhuratën më të mirë të mundshme. Më në fund, vendi im po sillej sipas gjykimit të shëndoshë. Pas tri vitesh jetese dhe pune në Kosovë, e gjithë shoqëria që kam krijuar këtu do të mund ta takojnë familjen time kur të vijnë në Spanjë me mua këtë verë.
Kosova në politikën spanjolle
Që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, nuk ka pasur mungesë të ekspertëve/eve që shpjegojnë vendin që zë Kosova në fotografinë e gjerë të politikës spanjolle. Kjo për shkak se Madridi ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës për shkak të frikës se mos përmes këtij veprimi do të legjitimojë lëvizjet e pavarura baske dhe katalanase.
Disa mund ta shpjegojnë qëndrimin aktual të Spanjës ndaj Kosovës si fiksim nacionalist të krahut të djathtë, por e vërteta është më e ndërlikuar.
Qeveria aktuale, e cila udhëhiqet nga kryeministri Pedro Sánchez, ka negociuar me forcat e pavarura katalanase dhe baske. Sánchez është udhëheqësi i Partisë Socialiste (PSOE), partia kryesore e majtë e Spanjës. Si kryeministër, ai ka pasur qëndrim më pak antagonist ndaj forcave të pavarura sesa paraardhësit e tij. Kjo mund të ndikohet nga partitë e tjera të majta me të cilat PSOE u detyrua të hynte në koalicion: Unidas Podemos (UP) gjatë mandatit të mëparshëm të Sánchez dhe SUMAR në mandatin e tij aktual.
Partitë kryesore secesioniste, Esquerra Republicana (ER) dhe Junts Per Catalunya — të dyja katalanase — dhe EH Bildu dhe Partia Nacionaliste Baske (PNV) — të dyja baske — lejuan Sánchez ta formonte qeverinë pasi zgjedhjet e parakohshme të korrikut 2023 rezultuan në një parlament të ndarë në copa. Gatishmëria e Sánchez për të punuar me këto parti dhe qëndrimi i tij i përgjithshëm, duket se ka rezultuar në disa ndryshime në pozicionin e Spanjës lidhur me Kosovën.
Partia kryesore e krahut të djathtë në Spanjë është Partia e Popullit (PP). PP ishte në pushtet, me Mariano Rajoy si kryeministër, në tetor 2017, kur katalanasit që kërkonin të votonin në një referendum për t’u pavarësuar u kundërshtuan dhunshëm nga forcat policore, të dërguara nga qeveria qendrore. Referendumi u organizua nga qeveria rajonale e Katalonisë për të pyetur katalanasit rreth pikëpamjeve të tyre mbi mundësinë e pavarësimit nga Spanja. Referendumi u konsiderua përfundimisht i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës dhe Komisioni Evropian.Në vitin 2018, Rajoy refuzoi të marrë pjesë në Samitin e BE për Ballkani Perëndimor për shkak të “prezencës së Kosovës”. Përveç kësaj, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) kërcënoi Spanjën për shkak se sportistëve/eve nga Kosova iu ndalua të garonin në Spanjë me flamurin dhe himnin e tyre sa ishte kryeministër Rajoy.
Sánchez si kryeministër: një qasje e re?
Sánchez nuk i ka shmangur partitë katalanase dhe baske prej kur ka arritur të marrë pushtetin, madje ka shkuar deri aty sa ta mbështesë një ligj që do t’i amnistonte udhëheqësit katalanas përgjegjës për referendumin e vitit 2017, në mënyrë që ta fitonte mbështetjen e këtyre partive dhe ta formonte qeverinë.
Kjo ndjenjë e mirë duket se ka arritur edhe te Kosova. Sánchez nuk e ka refuzuar praninë e përfaqësuesve/eve të Kosovës gjatë takimeve ndërkombëtare, diçka që s’ishte parë që nga pavarësia e Kosovës. Në fakt, kur Sánchez u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Samitin BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në tetor të vitit 2021, ishte hera e parë që një udhëheqës spanjoll përshëndeti publikisht një udhëheqës kosovar.
Njohja e mundshme e Kosovës nga Spanja ka qenë gjithmonë e ndikuar nga politika e brendshme e Spanjës. Në të vërtetë, afërsia e zgjedhjeve spanjolle me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ndikoi në vendimin e qeverisë për njohje të mundshme. Në atë kohë, qeveria spanjolle ishte e zhytur në negociata me forcat pro-pavarësisë baske, sipas dokumenteve nga Ambasada e ShBA në Madrid që i zbuloi Wikileaks.
Janë nevojitur më shumë se 15 vjet që Spanja të kalojë nga refuzimi për të marrë pjesë në takime ndërkombëtare për shkak të pranisë së Kosovës tek pritja e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në La Alhambra (gjatë Samitit të BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, i cili u organizua në Granada).
Pavarësia është një çështje e tensionuar në Spanjë. Politikanët dhe votuesit e krahut të djathtë janë të pandryshueshëm lidhur me këtë temë, si në Spanjë ashtu edhe jashtë saj. Kjo mund të shihet në reagimin e së djathtës ndaj Ligjit për Amnistinë, i cili heq përgjegjësinë ligjore për personat që akuzoheshin për veprimtari separatiste.
Ligji, një koncesion i PSOE së Sánchez ndaj partive separatiste për ta formuar një qeveri pas zgjedhjeve të fundit, është miratuar në Kongresin e Spanjës dhe tani pret të miratohet në Senat. Reagimi i partive të krahut të djathtë karakterizohet nga akuzat se Sánchez “po thyen Spanjën”.
Kur përfundimisht u konfirmua njohja e pasaportës kosovare, në Kosovë pati shumë ngazëllim. Ndonëse e kuptova atë ngazëllim, një pjesë e imja dëshironte që njoftimi të mos bëhej publik në Spanjë, nga frika se çka do të ndezte ky lajm në politikën e brendshme spanjolle.
Megjithatë, nëse ekziston një gjë që është vënë re në politikat e qeverisë Sánchez lidhur me Kosovën, kanë qenë veprimet e kujdesshme, që nuk marrin shumë vëmendje. Sánchez ka arritur të ndërmarrë hapa gradualë drejt njohjes së ekzistencës së Kosovës si shtet i pavarur, pa iu dhënë politikanëve të opozitës mundësi që veprimet e tilla t’i përdorin kundër qeverisë së tij.
Pavarësia në diskursin politik spanjollKonceptet e pavarësisë dhe integritetit territorial janë polarizuese në Spanjë. Përmendja e Kosovës në Spanjë — pa marrë parasysh pse — prodhon reagim publik. Ky reagim lidhet me mungesën e informacionit cilësor për Kosovën në gjuhën spanjolle.
Për shembull, në vitin 2022, kur tensionet në veri të Kosovës u rritën për shkak të zbatimit të masave të reciprocitetit lidhur me targat, Kosova ishte temë e nxehtë në Spanjë. Postimet në Twitter në gjuhën spanjolle që i referoheshin Kosovës si “krijim i NATO” ose/dhe “një narko-shtet” u shpërndanë gjatë atyre ditëve. Pikëpamjet e tilla pasqyrojnë këndvështrimin e thjeshtësuar të disave se për shkak se ShBA dhe NATO ndërhynë në Kosovë në vitet e ‘90-ta, Kosova s’është tjetër veç një territor neoliberal që ndjek interesat e ShBA.
Duke iu përgjigjur këtyre reagimeve, vërejta se “kur flasim për Kosovën në Spanjë, zërat e krahut të djathtë e deklarojnë ekzistencën e saj si të paligjshme — duke injoruar vendimin e GjND — sepse mbrojtja e tyre e çdo sovraniteti kombëtar është më e rëndësishme për ta sesa realiteti në terren”. Në të kundërtën, “zërat majtistë nuk mund të shohin përtej ndjenjave të tyre kundër NATO dhe për ta, ta mbrosh Kosovën i bie ta mbrosh Perëndimin, sepse ishte ky bllok që mbrojti shqiptarët në vitet e ’90-ta”. Kështu, “Kosova është e vetmja çështje për të cilën pajtohen të dy frontet politike spanjolle”.
Për këto arsye, e ashtuquajtura “çështja e Kosovës” zakonisht ngrihet nga parti të pavarura, siç ndodhi pas ndeshjes së futbollit mes dy ekipeve kombëtare të burrave në Sevilje në mars të vitit 2021. Gjatë transmetimit në kanalin televiziv shtetëror të Spanjës, komentuesit shmangën përmendjen e Kosovës, duke bërë që ERC dhe Junts t’i denoncojnë “manipulimet gazetareske” të transmetimit, të cilat synonin të “[ulnin] kombëtaren e Kosovës për arsye politike”.
Kosova u përmend për herë të fundit në organet legjislative të Spanjës në nëntor të vitit 2021, kur zëdhënësi i EH Bildu, Mertxe Aizpurua kërkoi që Sánchez ta udhëhiqte Spanjën drejt njohjes së Kosovës: “është koha që të njihet sovraniteti dhe legjitimiteti i Kosovës si shtet me të drejta të plota”. PNV e mbështeti këtë peticion.
Kjo përmendje e thjeshtë shkaktoi edhe një herë një reagim publik duke shfaqur se sa spanjollë refuzojnë ta pranojnë çdo konsideratë ndaj Kosovës dhe sa e ndjeshme është kjo temë në Spanjë.
Çka vjen pas njohjes së pasaportave?
Kosova ka pak ndërlidhje me Kataloninë apo vendin Bask. Nuk ka dy pretendime për vetëvendosje kombëtare të ngjashme, pasi secila është e formësuar nga një kontekst specifik historik, kulturor dhe ekonomik. Kosova dhe këto dy lëvizje nuk bëjnë përjashtim.
Fatkeqësisht, komunikimi politik është më shumë i ndërlidhur me populizmin sesa me realitetin dhe në diskursin politik spanjoll Kosova mbetet e lidhur me lëvizjet katalane dhe baske.
Marrë parasysh këtë, nevojitet një ndryshim shumëdimensional i mënyrës se si diskutohet Kosova në Spanjë. Së pari, forcat politike nuk duhet të bëjnë referenca të papërgjegjshme apo çorientuese për Kosovën, duke përjashtuar krahasimin me rastin bask dhe katalanas, duke i dhënë besim nocionit se një kahje e re ndaj Kosovës do të provokonte reagim nga Katalonia apo vendi Bask.
Së dyti, dezinformatat në gjuhën spanjolle rreth Kosovës duhet të ndalen. Shoqëria civile duhet të jetë e kujdesshme kur i bën jehonë çdo informacioni apo deklarate në rrjetet sociale apo në debatet personale, si dhe gazetarët/et duhet të jenë profesionistë/e dhe informues/e kur mbulojnë Kosovën, diçka që shumë medie spanjolle nuk e bëjnë për momentin.
Duket se vendi im dëshiron të harrojë jo vetëm të kaluarën e afërt të Kosovës, por edhe të veten. Në vitin 1999, Spanja, së bashku me 31 vende të tjera, iu përgjigj peticionit të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) për pritjen e 1,426 shqiptarëve të Kosovës si pjesë e Programit të Evakuimit Humanitar dhe Mbrojtjes së Përkohshme. Mijëra njerëz e jetuan atë realitet; njoh shumë prej tyre. Spanja dhe qytetarët e saj duket se e kanë harruar atë të kaluar, duke shmangur ekzistencën e njerëzve që jetojnë mes dy vendeve. Nuk jam prej atyre njerëzve, por kam shoqëri që janë. Jam një spanjolle që kam ardhur në Kosovë gati tri vite më parë, po aq e keqinformuar si çdonjëri. Megjithatë, kam mësuar dhe ende po mësoj, nga një vend që më priti shumë kohë më parë, ashtu siç bëri Spanja gjatë viteve të ’90-ta me mbi një mijë shqiptarë të Kosovës. Kjo është arsyeja pse sjellja e vendit tim ndaj Kosovës është kaq zhgënjyese. Nuk është për shkak të mungesës së diplomacisë së politikanëve/eve spanjollë/e gjatë këtyre 15 viteve, por për shkak të mendimeve të gabuara që qytetarët spanjollë shpërndajnë çdo ditë.
Por ekziston edhe një realitet tjetër: në shumë raste opinioni publik mund ta ndryshojë politikën. Dhe kush e di — kur shoqëria ime kosovare të vijnë në La Feria këtë verë, ata/o do të mund t’ua ndryshojnë mendimet qytetarëve spanjollë duke biseduar me fqinjët e mi.
Është e mundur që vendimi i qeverisë Sánchez për pranimin e pasaportës kosovare ka nisur një periudhë mësimi dhe kujtese për popullin spanjoll. Përmes këtij mësimi, Spanja do të jetë në gjendje ta rifitojë gjykimin e shëndoshë për Kosovën. Dhe ndoshta, në një të ardhme të afërt, njerëzit e urtë do të na sjellin njohjen e Kosovës.
Autore: Marta Moreno Guerrero
Marta Moreno Guerrero është gazetare e pavarur e specializuar në Politikat Ndërkombëtare. Marta mban diplomë bachelor në Gazetari dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Rey Juan Carlos në Madrid dhe master në Gazetari Politike Ndërkombëtare nga Universiteti Pompeu Fabra i Barcelonës. Ajo ka jetuar në Kosovë për tri vite, duke shkruar për politikën e Ballkanit Perëndimor si bashkëpunëtore e medieve në Spanjë. Ajo është gjithashtu korrespondente e Radio France International (RFI) për Ballkanin.
- Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.