Pas gati një viti, prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Komiteti i ministrave, ka hedhur në votim këtë aplikim.
Me 2\3 e votave, komiteti ka vendosur që kërkesën për aplikim të Kosovës më KiE, t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për procedura të mëtejme.
Votimin e sotëm, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ka quajtur hap historik dhe ka thënë se përkundër sfidave që i presin, Kosova në fund do të jetë anëtare e KiE-së.
Kushtrim Istrefi, këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ka treguar për hapat e ardhshëm që e presin këtë proces.
“Si hapa të radhës, asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës, do të hartojë një opinion në lidhje me anëtarësimin e Kosovës, i cili do të bazohet në kriteret e anëtarësimit, që do të ndërlidhen me çështjet e të drejtave të njeriut, dhe sundimin e ligjit dhe pas kësaj ky opinion sërish do ti kalojë Komitetit të ministrave, pra i njëjti institucion që sot ka votuar në favor të Kosovës, do të votojë prapë me shumicë votash prej 2\3, për vendimin final të anëtarësimit”, ka thënë Kushtrim Istrefi – Këshilltar i Jashtëm në MPJD-në.
Istrefi thotë se kohëzgjatja deri në vendimin final, do të varet nga kriteret që do të vendosen në opinionin e asamblesë parlamentare.
“Nëse i shohim praktikat e deri tanishme është një periudhë ndërmjet 1 deri në 3 vite, deri në anëtarësimin final, mendoj se Kosova gjatë viteve të fundit, që nga shpallja e pavarësisë, ka bërë një punë të mrekullueshme duke e inkorporu Konventën evropiane për të drejtat e njeriut, dhe instrumentet tjera në Kushtetutën e saj, prandaj ne jemi vetëm përpara në plotësimin e standardeve që dalin nga Këshilli Evropës, andaj presim që anëtarësimi të ndodhë në një proces të shpejtuar brenda një afati standard”, shtoi Istrefi.
Sipas ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, procesi është vonuar deri tash vetëm për arsye politike.
“Në rrethana pa pengesa, një gjë e tillë do mund të bëhej, brenda 1 viti dhe uroj që Kosova të mos ketë më pengesa, pasi që ne qëndrojmë shumë më mirë madje edhe në raport me shtetet në rajon sa i përket këtyre, çështjeve të demokracisë, rendit dhe ligjit ndaj të drejtave të njeriut, dhe uroj të mos ketë pengesa politike… Kosova për shkak të pengesave politike është mbajtur peng deri në këtë kohe, pasi që është arrit marrëveshja me Serbinë në Ohër, dyert janë hapur për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka thënë Mimoza Ahmetaj – Ish-ministre e Integrimit Evropian.
Këtë vendim e kanë mirëpritur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, të cilët kanë thënë se janë të përkushtuar që të përmbushin standardet më të larta të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Kosova në organizatën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, zyrtarisht ka aplikuar në maj të vitit të kaluar.
Pas pranimit të Kosovës, në këtë Këshill, qytetarët mund të kenë qasje direkte për padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.