Këtë të martë, në ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Qipron, në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Dardanët” synojnë fitoren e tretë në këtë garë, duke kërkuar pikët e plota.
Pas fitores së fundit ndaj Lituanisë me rezultat 1:2, ku shënuan Edon Zhegrova dhe Ermal Krasniqi, skuadra e trajnerit Franco Foda vjen me moral të lartë.
Fitorja e së shtunës si mysafir ka ngritur pritshmëritë për një tjetër paraqitje të suksesshme në shtëpi.
Në konferencën për shtyp të mbajtur para ndeshjes, Edon Zhegrova u shpreh optimist për rezultat pozitiv.
Dardanët aktualisht janë në vendin e dytë në grup, tre pikë prapa Rumanisë.
Në tre ndeshjet e deritanishme, ata kanë shënuar dy fitore, duke pësuar një humbje.
Qipriotët aktualisht janë në vendin e tretë në grup, duke pasur ende shanse për vendin e dytë, duke qenë tre pikë larg tij.
Gjithashtu, sipas njoftimit të FFK-së, pas stërvitjeve të fundit të hënën, dardanët thuhet se janë plotësisht të motivuar për të dhënë maksimumin në ndeshje dhe për të siguruar një tjetër fitore në këtë edicion të Ligës së Kombeve.