Kosova kërkon pronën në Mal të Zi që i është marrë në Serbi

“Kemi paraqitur ankesë te një autoritet tjetër kompetent, Ministria e Financave, kundër vendimit të Drejtorisë së Kadastrës së Podgoricës, të datës 24 janar 2023, lidhur me ndryshimin e pronësisë së patundshmërive të PIK Kosovës në Mal të Zi”, thanë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

FOTO: REL

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kërkon nga Ministria e Financave e Malit të Zi që ta ndalojë ndryshimin e pronësisë së patundshmërive të ish-ndërmarrjes shoqërore “PIK Kosova-Eksport – Industria e Mishit”, nga Fushë-Kosova, iu konfirmua Radios Evropa e Lirë.

Pronat e saj ndodhen në Podgoricë, Tivar dhe Budvë.

Duke qenë se kjo agjenci, në përputhje me ligjin, menaxhon të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore të Kosovës, ajo pretendon se është pronarja e vetme e atyre pronave.

Sipas saj, pas vitit 1999, këto prona janë përvetësuar ilegalisht nga kompania “Klanica” në Kralevë, e cila më pas i ka shitur.

Ajo kërkoi dy herë nga Administrata për Pronë Shtetërore dhe Kadastër e Malit të Zi që ta zhvlerësojë kontratën për shitjen e tyre, të cilën “Klanica” e ka lidhur në Serbi.

Pasi Administrata refuzoi, rasti përfundoi në Ministrinë e Financave të Malit të Zi, e cila është eprore e Administratës.

“Kemi paraqitur ankesë te një autoritet tjetër kompetent, Ministria e Financave, kundër vendimit të Drejtorisë së Kadastrës së Podgoricës, të datës 24 janar 2023, lidhur me ndryshimin e pronësisë së patundshmërive të PIK Kosovës në Mal të Zi”, thanë për REL-in nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Administrata për Pronë Shtetërore dhe Kadastër e Malit të Zi, e udhëhequr nga Koço Gjurishiq, përkundër disa premtimeve me shkrim gjatë dy javëve të komunikimit me REL-in, nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ngjashëm as Ministria e Financave e Malit të Zi.

Vlera e pronave të PIK Kosovës

Bëhet fjalë për gati 1.000 metra katrorë hapësira biznesi në lokacione prestigjioze.

Në qendër të Podgoricës janë shtatë të tilla me një sipërfaqe totale prej 700 metrash katrorë – prej të cilave, 500 janë në katet përdhes të objekteve të banimit dhe 200 në bodrumet e tyre.

Në qendër të Budvës është një hapësirë prej 60 metrash katrorë, ndërsa në Tivar prej 137 metrash katrorë, plus 47 metra katrorë bodrum.

Çfarë ndodhi me patundshmëritë nga viti 1999?

Që nga nëntori i vitit 1999, patundshmëritë në Mal të Zi u menaxhuan nga kompania “Klanica” nga Kraleva, përmes kompanisë me të njëjtin emër në Mal të Zi, të themeluar po atë muaj, me seli në Podgoricë.

Tre vjet më vonë, në gusht të vitit 2002, u themelua një kompani tjetër “Klanica Kralevo” si pjesë e një kompanie të huaj me seli në Tivar, gjegjësisht në vendbanimin Sutomore, zbuloi Radio Evropa e Lirë përmes një kërkimi në Regjistrin Tregtar.

Kur kompania mëmë “Klanica Kralevo” në Serbi falimentoi në mes të vitit 2019, pronat në Mal të Zi u shitën përmes procedurave të falimentimit.

Ankandi publik u mbajt në Beograd më 8 shkurt 2022, sipas dokumentacionit të Agjencisë për Licencimin e Administratorëve të Falimentimit të Serbisë, në të cilin, REL-i pati qasje.

Vlera e parashikuar e pasurisë së paluajtshme ishte rreth 620.000 euro dhe ajo iu shit për pak më pak se 240.000 euro shtetases së Bosnjës, Angjella Sekulloviq, nga Sutomorja.

Ajo bëri ofertën më të lartë në ankand në mesin e tre pjesëmarrësve nga Mali i Zi.

Edhe pse oferta e Sekulloviqit ishte vetëm 38 për qind e çmimit të kërkuar, shitja u miratua nga Bordi i Kreditorëve.

Në atë periudhë, çmimi mesatar i hapësirës për zyra në qendër të Podgoricës ishte rreth 2.000 euro për metër katror, i thanë REL-it agjentë për shitjen e patundshmërive.

Kontrata e shitblerjes u bë më 22 shkurt 2022 dhe u vërtetua dhjetë ditë më vonë, më 4 mars, (UOP-I 359-2022) nga noteri Zoran Jovanoviq nga Kraleva.

“Duke qenë se objekt i shitjes ishte debitori i falimentuar si person juridik, me pagesën e çmimit blerësi fitoi të drejtën e pronësisë 100%… që përfshin të gjithë pasurinë e debitorit të falimentuar”, thuhet në raportin e administratorit të falimentimit, Petar Vulloviq, nga Kraleva, të cilin e pa REL-i.

Rrëfim tjetër në Serbi

Për Serbinë, kompania PIK Kosova nuk ekziston, sepse është fshirë nga regjistri gjyqësor më 31 dhjetor 1989, shkruhet në dokumentacionin e Vulloviqit.

Më tej thuhet se në vitin 2001, PIK Kosova i ka “shitur ilegalisht” patundshmëritë në Mal të Zi te kompania “Nacional AD” nga Danillovgradi. Ajo kompani ia ka shitur lokalin në Budvë gruas së drejtorit të “Nacional”, Llella Radiçeviq, e ajo Zhelko Peroviqit.

Lokalet e tjera afariste në Mal të Zi i janë shitur Obren Simoviqit, sipas dokumentacionit të Vulloviqit, të datës 25 maj 2022, i cili ishte përgatitur për Agjencinë për Licencimin e Administratorëve të Falimentimit të Serbisë.

Kjo agjenci është organi kompetent i Serbisë që kryen “detyrat profesionale, me të cilat rregullohet falimentimi”.

Për të gjitha objektet në Mal të Zi po zhvillohen procedura gjyqësore për kthimin e pronës së paluajtshme në posedim të kompanisë “Klanica Kralevo”, thuhet në të njëjtin dokument.

Aty nuk specifikohet se në cilat gjykata po zhvillohen këto procedura.

REL-i kontaktoi me Vulloviqin, i cili tha se “për të gjitha informatat duhet kontaktuar Agjencinë për Licencimin e Administratorëve të Falimentimit të Serbisë”.

Kontest në kadastrën e Malit të Zi?

Agjencia Kosovare e Privatizimit i tha Radios Evropa e Lirë se në Gjykatën në Kralevë ka një procedurë kontestuese, për shkak të përvetësimit të paligjshëm të pronës së një kompanie kosovare nga viti 1999 nga “Klanica Kralevo”.

Ajo paralajmëroi se procedurë e ngjashme do të nisë edhe para gjykatave në Mal të Zi.

Kjo do të jetë e mundur vetëm kur të marrë përgjigje nga Ministria e Financave, tek e cila është ankuar për ndryshimin e pronësisë së patundshmërisë. Ankesa, siç thuhet, u miratua nga Drejtoria e Kadastrës e Podgoricës në fillim të vitit.

Drejtoria e Kadastrës e Podgoricës konfirmoi për REL-in se PIK Kosova nuk është e regjistruar si pronare e patundshmërive në Podgoricë.

Pas qasjes në kadastrën e patundshmërive në Mal të Zi, REL-i gjeti se të gjitha pronat janë ende në pronësi të kompanisë “Klanica” nga Kraleva, ndërsa Zhelko Peroviq figuron si pronar i lokaleve në Budvë.

REL-i nuk arriti ta kontaktojë Angjella Sekulloviqin, e cila, sipas dokumenteve të Agjencisë për Licencimin e Administratorëve të Falimentimit të Serbisë, ka blerë pronën e paluajtshme të kompanisë “Klanica Kralevo” në Mal të Zi.

Sekulloviq është e regjistruar në Regjistrin Tregtar të Malit të Zi si drejtoreshë e “Klanica Kralevës” me seli në Sutomore, e cila është pjesë e kompanisë me të njëjtin emër në Kralevë – gjithashtu në pronësi të saj.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilat i janë dhënë më herët REL-it, Kosova ka mbi 30 objekte pronësore në Mal të Zi, pronari i të cilave është ndërruar ilegalisht.

Sipas burimit të njëjtë, Kosova posedon 163 objekte pronësore, përkatësisht ndërmarrje shoqërore në vendet e ish-Jugosllavisë./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika