Përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll, e ka nisur me humbje fazën e “Elite Round” në kuadër të kualikueseve që po zhvillohen për Europianin e këtyre grupmoshave që zhvillohet në Izrael këtë verë.
Shpresat e dardanëve pësuan me rezultat 0-2 nga Ukraina, ndeshje kjo që shënonte rikthimin e kombëtareve të Ukrainës në garat e UEFA-s për herë të parë që nga nisja e luftës kundër Rusisë.
Ekipi i Kosovës U17 nuk arriti të marrë rezultat nga përballja e zhvilluar në “Stadio Comunale Stefano Lotti” në Itali.
45 minutat e para ishin relativisht pozitive, me të përzgjedhurit e Arsim Abazit që krijuan disa mundësi për gol, por pa sukses.
Rezultati ishte i pandryshuar deri në minutën e 75-të, por në çerekun e fundit të ndeshjes Ukraina e goditi Kosovën dy herë.
Ishin Dmitri Kremchanin dhe Oleksej Gusjev ata që shënuan për ukrainasit.
Para ndeshjes, Kapiteni i skuadrës, Igball Jashari, anëtar i familjes legjendare Jashari, sot i ka dhuruar një fanellë të nënshkruar nga të gjithë futbollistët e Kosovës kapitenit të Ukrainës, në shenjë solidarizimi për agresionin që ky shtet po pëson nga Rusia.
Në ndeshjen e ardhshme, Kosova U17 luan ndaj Italisë, ndërsa Ukraina luan me Poloninë.
Dardanët pësojnë humbje nga Ukraina në “Elite Round”