Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se së bashku me Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Mjedisit, nënshkruan sot me KfW-në dhe BE-në, një marrëveshje financimi në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh, për zbatimin e projekteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta.
Këto projekte, siç njofton Ministria e Financave, do të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit të mbeturinave dhe ujërave të zeza, me të cilat, ballafaqohet Kosova.
“Të dy projektet do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të BE-së, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza, me të cilat, ballafaqohet Kosova”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Ministria e Financave.
Tutje, bëhet e ditur se projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës, do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive.
Njashtu, projekti në fjalë do të plotësojë ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza që është financuar nga Qeveria franceze, i cili ka qenë investimi më i madh që është bërë në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë.
Kësisoj, Ministria e Financave ka bërë të ditur se për realizimin e këtij projekti, Qeveria Gjermane përmes KfW-së do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë-Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht.
Tutje, theksohet se projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës, dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta.
“Për këtë projekt, Qeveria Gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA. Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro”, thuhet në komunikatën e dërguar për media nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, u shpreh se “Këto projekte pasqyrojnë edhe më tej përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e mjedisit”.
Ndërkaq, shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, z. Staebek Madsen, ka thënë se “Përmes këtyre marrëveshjeve BE-ja së bashku me shtetet e saj anëtare, ka demonstruar edhe një herë përkushtimin e saj për ta ndihmuar Kosovën të ndërtojë një ekonomi moderne dhe me resurse efikase”.
Ndër të tjera, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe BE-në, si partnerë kyç në avancimin e agjendës zhvillimore të Kosovës.
“Marrëveshjet e nënshkruara sot mundësojnë dy projekte shumë të rëndësishme, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës së qytetarëve të Kosovës, duke avancuar vendin tonë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm. Agjenda e gjelbër mbetet prioritet i qeverisë sonë, trajtimi i ujërave të zeza dhe mbeturinat e ngurta janë fusha të rëndësishme që kërkojnë investime të konsiderueshme”, ka thënë Murati.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u shpreh se “Projektet që po nënshkuajmë sot në fushën e ujërave dhe menaxhimit të mbeturinave, jo vetëm që i kontribuojnë ruajtjes së ambientit, por edhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës”.
Ndërkaq, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se “Kosova është partner proaktiv dhe konstruktiv, dhe ky bashkëpunim i bazuar në vlerat e BE-së, do të mundësojnë përparimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të kemi tranzicionin e duhur drejt ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së ripërtëritshme”.