63.2 milionë euro i ka kushtuar vendit furnizimi me energji elektrike të katër komunave veriore për vitin 2022.
Kështu bëri të ditur kryesuesi i bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Ai tha se rrymën e harxhuar nga serbët në veri të vendit i kanë mbuluar përmes buxhetit të shtetit, nga mjetet që u janë dhënë nga ekzekutivi, shkruan kp.
Mehmeti tha se mungesa e mbulimit të konsumit për pjesën veriore vazhdon të paraqesë problem për vendin.
Për këtë ka reaguar edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, duke thënë se kur qeveritë e mëhershme ndanin mjete për këtë qëllim, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i fyente e poshtëronte.
“Mashalla 113 milionë euro rrymë ju paguan serbëve nga Qeveria Kurti në 2021/22. E dëshmuan në raportim KOSST. Më kujtohet kur ishte kryeministër z.Haradinaj, patëm marrë vendim që t’i ndanim 1 milionë euro për pagesë të energjisë komunave veriore, dhe Lëvizja Vetëvendosje (pushteti i tanishëm) nuk la fyerje e etiketim poshtëruese pa na bërë! Qytetarët le të gjykojnë e vlerësojnë racionalisht!”, ka shkruar Lekaj në Facebook.