”E respektoj vendimin e Muhamed Zekirit për dorëheqje nga funksioni. Është një akt i përgjegjësisë politike. Qeveria së shpejti, do të fillojë procedurë për zgjedhjen e sekretarit të ri të përgjithshëm”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski ka thënë se pret një procedurë të pavarur dhe transparente nga Prokuroria dhe organet e gjyqësisë si dhe respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë.
Gjithashtu, shtoi se Qeveria së shpejti, do të fillojë procedurën për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm.
Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, dhe këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet rrjetit social të tij, Facebook.
Dorëheqja vjen, pasi Prokuroria Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsion ka lëshuar urdhër “për zbatimin e procedurës hetimore kundër dy shtetasve kroatë dhe një funksionar të Qeverisë së RVM-së, në cilësi të personit zyrtar, i dyshuar se ka kryer vepër penale keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”.
Prokurorja, Vilma Ruskoska sot, deklaroi se lënda për hetim për shpërdorim që është ngritur kundër sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zekirit dhe dy shtetasve kroatë, Prokuroria e ka marrë në gjysmën e dytë të vitit 2021.
Pritet që Zekiri të paraqitet në gjykatë, që të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake që t’i shqiptohet paraburgimi.
Paraburgimi u kërkua nga Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PPTh NKO), për shkak të rrezikut se i njëjti dhe dy të dyshuarit tjerë, mund të arratisen dhe mund të ndikojnë në hetim duke shkatërruar dëshmitë.
Gjatë periudhës prej muajit prill 2021 deri në muajin janar 2022, duke shfrytëzuar pozitën e tij, i dyshuari i parë, Muhamet Zekiri, pa realizuar procedurë përkatëse për prokurim publik, ka arritur marrëveshje me shërbime konsulente me kompani ku qëllimisht iu ka ndihmuar shtetasve kroatë.
Me veprimet e ndërmarra, të dyshuarit për kompaninë kanë siguruar pasuri pronësore të kundërligjshme në vlerë prej 57.932.100,00 denarë, në dëm të Buxhetit të RMV-së. Vlerë që ishte më e madhe se 795.000 euro nga vlera e dakorduar për kryerjen e shërbimeve konsulente.