Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas përfundimit të Samitit të BE-së, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka shprehur pakënaqësitë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut rreth çështjes së negociatave dhe nisjes së tyre.
Në këtë samit, Kovaçevski ka thënë se është diskutuar edhe për çështjet e interesit në Ballkanin Perëndimor, në kontekstin e sfidave gjeopolitike aktuale.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut, qe 18 vjet është shtet-kandidat në BE, dhe ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit para 20 vjetësh, por ende nuk ka ndonjë rezultat në këtë drejtim.
“Po humbet koha e çmuar, që nuk e kemi në dispozicion”, ka thënë Kovaçevski.
Sipas tij, Bullgaria nga ana tjetër ka vendosur të kthehet në të shkuarën, të vendosë një bllokadë për negociatat e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
“Njihemi si vend që angazhohet për të gjetur zgjidhje të pranueshme të ndërsjella bazuar në vlerat evropiane, kemi hyrë në negociata me Bullgarinë, të punojmë me të njëjtat vlera evropiane”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë që Maqedonia e Veriut ka bërë shumë deri më tani, siç thotë ai, tashmë është koha që BE të përmbushë premtimet e veta përpara se të kërkojë gjëra të tjera.
Ai ka falënderuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për mbështetjen e rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut drejt integrimit evropian.
“Dua të riafirmoj që propozimi për ne duhet të garantojë këto elemente kyçe, gjuhën maqedonase, identitetin kulturor, negociatat duhet të nisin përpara procedurave, ndërkohë duhet siguruar nga BE, në kuadrin negociues dhe çdo zgjidhje duhet të konsultohet”, ka shtuar ai.
Sipas tij, propozimi në formën aktuale është i papranueshëm, nëse gjatë presidencës franceze arrihet një mirëkuptim për pozicionin e Maqedonisë së Veriut, atëherë do të fillojnë edhe negociatat.
“Ne kemi bërë gjithçka, tani i takon Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai.
Sipas tij, nisma e Ballkanit të Hapur është e duhura për integrim në BE.
Ai për fund ka kërkuar anëtarësimin në BE, me identitet gjuhësor, kulturor dhe historik.
“Kjo është ajo që dua, dua që të anëtarësohemi me identitet gjuhësor, kulturor dhe historik, e të anëtarësohemi në mënyrë krenare. Ne jemi gati të bashkohemi ashtu siç kanë bërë deri më tani me respekt e dinjitet të 27 vendet anëtare”, ka përfunduar Kovaçevski.