Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka thënë se Maqedonia e Veriut dëshiron t’i bashkohet BE-së, duke shtuar se me Qeverinë e re të Bullgarisë kanë vendosur bashkëpunim në fusha të cilat shikojnë drejt së “ardhmes dhe të cilat mund të jenë në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve”.
Ai këtë e ka potencuar sot në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Delfi në Greqi, duke veçuar se zgjerimi i BE-së tani është çështje e rëndësisë gjeostrategjike.
„Dy qeveritë e reja janë votuar thuajse në të njëjtën kohë, njëra para përfundimit të vitit të kaluar ndërsa tjetra në fillim të këtij viti dhe menjëherë filluam me dialog të ri pasi paraprakisht mbi një vit dialogu midis dy shteteve thuajse edhe nuk ka ekzistuar”.
“Prandaj dy qeveritë vendosën bashkëpunim në fusha të cilat shohin drejt së ardhmes dhe të cilat mund të jenë në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve, si edhe palëve të involvuara, odave ekonomike dhe institucioneve të tjera, ndërsa nga ana tjetër kjo jep rezultate pasi ka përfitime materiale konkrete, ka dialog midis dy ministrive të Punëve të Jashtme për Çështjet e hapura politike”, ka thënë Kovaçevski.
Ai ka folur gjithashtu edhe për regjistrimin e popullsisë në vend, duke shtuar se ai u bë në bazë të praktikave më të mira evropiane dhe përfshinte ekspertë nga BE-ja.
“Rezultatet tani janë dërguar në Eurostat dhe do të bëhen pjesë e statistikave të BE-së pasi të miratohen. Çdo person ka qenë i lirë të shprehë mendimin e tij për çështje personale dhe besoj se kjo është baza mbi të cilën secili në vend mund të ndihet i lirë për të gjitha çështjet dhe vetëvendosjen”.
“Në vitet e fundit, veçanërisht pas vitit 2001, ne kemi dëshmuar se Maqedonia e Veriut është shoqëri për të gjithë qytetarët e saj dhe sipas Kushtetutës, shteti nuk u përket vetëm maqedonasve, por edhe bashkësive të tjera etnike që jetojnë në vend, si dhe personave të cilët vetëpërcaktohen ndryshe. Ky proces bazohet në parimet kushtetuese të shtetit dhe u mundëson malazezëve, bullgarëve përmes procedurave tona kushtetuese të bëhen pjesë e Kushtetutës”, ka thënë ai.
Kovaçevski tutje potencoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor gjithmonë ka qenë sferë interesi edhe për Rusinë por edhe për shtetet e tjera, por ne në vend kemi qëllim të qartë dhe pajtim midis partive politike kryesore, veçanërisht ato që janë pjesë e Qeverisë, lidhur me rrugën drejt BE-së.
I pyetur nëse “lufta në Ukrainë mund të jetë pozitive për Ballkanin”, kryeministri Kovaçevski potencoi se asnjë luftë nuk mund të jetë pozitive për askënd dhe askund.
Ndryshe për sot është paraparë në margjinat e Forumit që Kovaçevski të ketë takim bilateral me kryeministrin grek, Kirjakos Micotakis, si edhe të marrë pjesë edhe në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor.