Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shprehur shqetësimet lidhur me miratimin e Ligjit të ri për KPK-në nga Qeveria dhe votimin nga Kuvendi i Kosovës më 11 korrik.
Sipas KPK-së, Qeveria ka injoruar dhe refuzuar në mënyrë të vazhdueshme komentet, sugjerimet dhe propozimet e tyre në grupet punuese të formuara nga Ministria e Drejtësisë dhe në komisionet e Kuvendit.
KPK-ja e ka cilësuar këtë praktikë të njëanshme si një tentativë për të bllokuar dhe defunksionalizuar sistemin prokurorial.
“Kjo praktikë e njëanshme e miratimit të akteve ligjore, tregon qartazi se Qeveria e Kosovës dhe shumica në Kuvendin e Kosovës, me vetëdije dhe në emër të reformave, synojnë të bëjnë të kundërtën e reformës, pra bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial.
Këshilli ka paralajmëruar se tendenca e pushtetit për të ndërhyrë në sistemin prokurorial dhe drejtësi paraqet një rrezik të madh për kapjen dhe dirigjimin e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika.
“Megjithatë, KPK-ja është mirënjohëse dhe falënderuese në mënyrë të veçantë ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të shoqërisë civile në vend, të cilët u vunë në mbrojtje të këtyre parimeve dhe insistuan me ngulm që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të mos injorojnë rekomandimet e institucioneve vendore, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së sa i përket Projektligjit për Këshillin Prokurorial.
Në përfundim, KPK-ja ka theksuar përkushtimin e saj për të mbështetur proceset reformuese dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ata kërkojnë respektimin e plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mënjanimin e çdo tendence për kapjen antikushtetuese të institucioneve të pavarura të vendit.
“Përfundimisht, Këshilli Prokurorial i Kosovës, potencon se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, llogaridhënëse dhe transparente, por njëkohësisht kërkon edhe respektimin e plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mënjanimin e çfarëdo tendence për kapjen antikushtetuese të institucioneve të pavarura të vendit”, përfundon reagimi i tyre.