Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vlerësuar se Kuvendi ka bërë shkelje ligjore në shkarkimin e anëtarit të këtij këshilli, Agron Beka.
Sipas tyre, KPK-ja është institucioni i vetëm që trajton shkeljen brenda këtij këshilli.
Deputetët e pushtetit gjatë seancës së sotme [e premte] votuan për shkarkimin e Bekës nga pozita e anëtarit të KPK-së.
Por, shkarkimi i Bekës, sipas KPK-së, është tentativë e madhe politike për të ndërhyrë në përbërjen aktuale të KPK-së dhe për të krijuar para opinionit publik një paqyrë të rreme faktesh.
“KPK-ja konstaton me shqetësim të thellë ndaj se me rastin e shkarkimit të Agron Bekës nga pozita e anëtarit joprokuror të KPK-së, instanca më e lartë legjislative, siç është Kuvendi i Kosovës, ka bërë shkelje ligjore, sepse institucioni i vetëm kompetent në bazë të legjislacionit në fuqi, për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale të anëtarëve është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij. Mbi të gjitha, KPK-ja thekson se vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës është një tentativë e madhe politike për të ndërhyrë në përbërjen aktuale të anëtarëve të KPK-së, duke krijuar para opinionit publik një pasqyrë të rreme faktesh dhe argumentesh, me synimin e vetëm për të penguar funksionimin normal të këtij organi të pavarur kushtetues dhe ligjor. Kjo ndërhyrje pë KPK-në është cenim i funksionimit të rregullt të saj”, thuhet në reagimin e KPK-së.
Sipas tyre, Beka ka ofruar prova për të demantuar “provat e pabaza” që çuan në shkarkimin e tij, të cilin KPK-ja e konsideron se ka ndodhur pa asnjë argument ligjor.
“KPK-ja ka njoftuar opinionin e gjerë se anëtari i KPK-së, Prof.Dr.Agron Beka, ka ofruar një mjaft prova, duke demantuar plotësisht pretendimet e pabaza që dërguan deri te ky shkarkimi joligjor, andaj Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes këtij reagimi publik, bën me dije përfundimisht se të gjitha insinuatat e partisë politike në pushtet janë shpifje, fyerje dhe keqpërdorim i besimit qytetar. Kjo vërtetohet me vendimin e sotëm për shkarkimin e z.Beka, pa pasur asnjë argument ligjor, por vetëm me qëllim të denigrimit të figurës së tij dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre politike dhe krejt kjo pas gjashtë tentimeve për ta vënë në rend dite”, thuhet tutje në reagimin e tyre.
KPK-ja ka thënë se Beka gjatë ushtrimit të detyrës së tij nuk ka pasur asnjë vërejtje.
“KPK-ja vlerëson se anëtari i KPK-së, z.Beka, gjatë angazhimit të tij në KPK nuk ka pasur asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës së tij dhe asnjë shkelje dhe aq më pak procedurë, por me punën e tij dhe profesionalizmin e treguar ka ndihmuar sistemin prokurorial dhe KPK-në në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese. Këshilli Prokurorial i Kosovës, shpreh bindjen se z.Agron Beka ka vepruar në kuadër të autorizimeve të veta si anëtar i KPK-së dhe këtë vlerësim nuk mund ta bëjë askush tjetër përpos organit ku punon dhe vepron. Por, tashmë tendenca ka marrë hov dhe shkarkimi i tij është një dëshmi e pamohueshme se po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues, i cili është themel për ta ruajtur sigurinë juridike në këtë vend”, vijon reagimi i tyre.
KPK-ja ka paralajmëruar se “do të përdorë të gjithë mekanizmat e saj kushtetues dhe ligjorë për ta kontestuar këtë paligjshmëri që bëri sot pushteti ndaj KPK-së”.