Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk ka arritur të marrë vendim për rinumërimin e të gjitha votave me postë nga diaspora që u shpallën të pavlefshme.
Kërkesën për rinumërim e të gjitha votave të pavlefshme nga diaspora, e ka bërë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit në KQZ-së, Besnik Buzhala.
Ndërsa, me katër vota për, tri abstenim është refuzuar ky rekomandim i sekretariatit.
Por, vendimi i PZAP-së, që ka të bëj me 21 fletëvotime të shpallen të vlefshme do të zbatohet.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, është shprehur kundër rekomandimit të sekretariatit të KQZ-së për rinumërimin e votave të pavlefshme nga diaspora.
Në mbledhjen e KQZ-së, ai ka shprehur dyshime se kjo është kërkesë e LVV-së.
“Nuk di a është kërkesa e tij apo mbi çfarë përfundime kanë ardhur, a u ardh vetë drejtori, apo ndonjë komision. Një çështje që është evidente, vendimi i PZAP-së është marrë, është rezultat i një procedure administrative. Proces ankimor të një subjekti politik. Çdo tendencë për ta aplikuar këtë vendim në raste analoge nuk qëndron sepse PZAP për secilin rast veç e veç ka marrë vendime, ato i lexuat”, ka thënë ai.