Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për të shkatërruar materialin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe të materialit të zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Kështu ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka theksuar se asgjësimi apo shkatërrimi i materialit zgjedhor është detyrim ligjor për KQZ-në.
“Asgjësimi apo shkatërrimi i materialit zgjedhor, është detyrim ligjor për KQZ-në. Sipas vendimit të KQZ-së, pjesë të materialit që do të shkatërrohet janë fletëvotimet, formularët e rezultateve; listat e votuesve dhe materiale të tjera, që i takojnë zgjedhjeve të 23 prillit”, tha ai.
Elezi ka theksuar se sipas të dhënave të KQZ-së, zgjedhjet të cilat u mbajtën më 23 prill, kryesisht në objekte alternative (kontejnerë), i kushtuan buxhetit të shtetit rreth 142 mijë euro.
“Sipas raportit të hartuar, nga 497 398 euro të planifikuara, janë shpenzuar vetëm 141,938 euro apo 28,54 për qind e mjeteve të planifikuara. Në këtë shumë të përgjithshme të mjeteve të shpenzuara, janë përfshirë edhe mjetet për organizimin e zgjedhjeve të 18 dhe 25 dhjetorit 2022, të cilat u shtynë më 10 dhjetor, si dhe mjetet për organizimin e zgjedhjeve të datës 23 prill 2023. Buxheti i planifikuar për organizimin e raundit të parë të zgjedhjeve ka qenë në shumën 310,183 euro, ndërsa për raundin e dytë 246,300 euro”, ka njoftuar Elezi.
Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të paraqitura nga blloku evropian, Brukseli në fund të qershorit nisi të zbatonte disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Masat që po zbaton BE-ja ndaj Kosovës përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat e tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar, pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.
Kryetarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.